Çdo ndryshim i rendit botëror sjellë luftëra në Ballkan. Kështu ndodhi me shpërbërjen e Perandorisë Osmane në vitin 1912, kufij e rinj në vitin 1913 dhe shpërbërjen e Paktit të Varshavës në vitin 1990. Viti 2017 do të japë përgjigje për fatin e NATO-s, BE-së, për mundësinë e kalimit nga një botë unipolare në bipolare ose multipolare dhe për atë nëse Ballkani është i pjekur t’i përballojë këto ndryshime pa luftëra.
Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë
Në kohën kur Bashkimi Evropian (BE) ballafaqohet me një krizë ekzistenciale, integrimi evropian gjithnjë e më pak shihet si zgjidhje e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e shteteve aspiruese të Ballkanit Perëndimor. Përplasja midis Perëndimit dhe Lindjes duket se gjithnjë e më tepër einvolvon edhe këtë rajon, i cili ende nuk i ka kapërcyer armiqësitë nga luftërat e shkaktuara nga shpërbërja e federatës jugosllave. Rezultatet e zgjedhjeve në vendin më të fuqishëm në Botë – SHBA, në Gadishullin Ballkanik shihen si përcaktuese për fatin e popujve ose edhe të grupimeve të caktuara ideologjike.
Paqartësitë dhe rreziku
Qytetarët amerikanë vendosën që presidenti i ardhshëm i tyre më shumë të fokusohet në SHBA sesa në pjesët tjera të botës. U përcaktuan për kandidatin kontrovers, konfliktuoz, të ashpër në qëndrime, pra për republikanin Donald Trump. Edhe pse në total mori më pak vota se kundërkandidatja demokrate Hillary Clinton, megjithatë elektorët vendosën ta shpallin Trump-in për president, gjë që ngjalli shumë paqartësi në perspektivën e shumë vendeve dhe rajoneve të botës, ku ndikimi amerikan është determinues.
Clinton-i padyshim ishte kandidati i preferuar i shqiptarëve. Një person i njohur mirë nga ballkanasit shkaku i rolit aktiv të bashkëshortit të saj, ish-presidentit Bill Clinton, në ndërprerjen e luftërave në këtë rajon. Trump-i është kandidati autokrat dhe konservator, një profil që shpesh haset në skenën politike të Ballkanit, ndërkohë Clinton-i – demokrate dhe liberale, ashtu siç pretendojnë të jenë përfaqësuesit e gjeneratës së re politike të rajonit.
Kryeministri shqiptar Edi Rama me siguri e ka pasur siklet ta përpilojë urimin zyrtar për zgjedhjen e Trump-it. Ai u përfshi në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushatën e Clinton-it, duke deklaruar se “zgjedhja e Trump-it do të ishte kërcënim për vetë SHBA-të, por edhe për marrëdhëniet e saj me Shqipërinë”.
Në fakt, gara presidenciale ndërmjet Trump-it dhe Clinton-it kanë shkaktuar polarizime edhe në vendet e Gadishullit. Këto zgjedhje presidenciale në SHBA, si asnjëherë më parë, kanë zgjuar një interes shumë të madh, por edhe një ndasi midis popujve të ndryshëm të rajonit.
Me fillimin e fushatës, kryetari i Partisë Radikale Serbe, Voisllav Sheshel, doli hapur në anën e Trump-it. Ky politikan ultra-nacionalist, i cili qe i dyshuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare, u bëri thirrje serbëve që kanë shtetësi amerikane ta japin votën për kandidatin republikan, pasi kjo do të thotë “votë për ardhmërinë e Serbisë”. Arsyet pse Shesheli dhe radikalët e Serbisë kishin vendosur të përkrahin Trump-in është linja tij e fortë në raport me myslimanët, si dhe paralajmërimi për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë.
“Ai është miku i Rusisë dhe dëshiron marrëveshje me rusët. Votoni për atë, sepse është mik i popullit serb,”, u kishte thënë Shesheli mbështetësve të tij, që mbanin fanella me fytyrën e Trump-it.
Nga ana tjetër, në Bosnjë e Hercegovinë u organizua tubimi “Sarajeva voton për Hillary Clinton-in”, me qëllim të përcjelljes së mesazhit në përkrahje të kandidates demokrate nga myslimanët e këtij vendi. Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, një bulevard ka marrë emrin “Bill Clinton”, ndërkohë që statuja e tij është ngritur në një shesh të qytetit.
Urrejtja e Sheshelit dhe bashkëmendimtarëve të tij ndaj Clinton-it burojnë nga vitit 1999, kur NATO e bombardoi Serbinë e gjetur nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Ky aksion ishte ndërmarrë për të parandaluar krimet kundër njerëzimit në Kosovë, ku forcat qeveritare serbe dhe guerilja shqiptare ishin në kulmin e luftimeve. Intervenimi ajror i NATO-s e detyroi Millosheviqin të tërheqë forcat ushtarake nga Kosova, ndërkohë që shkaktoi dëme infrastrukturore dhe njerëzore në Serbi. Roli i NATO-s ishte vendimtar edhe në ndaljen e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Figura e presidentit të atëhershëm amerikan Bill Clinton ka mbetur e ngulitur në memorien kolektive të popullit mysliman dhe shqiptar në Ballkan si një shpëtimtar, udhëheqës i intervenimeve ushtarake që parandaluan tragjeditë edhe më katastrofale.
Shpresë për të djathtën
Përveç aspektit etnik e religjioz, sytë ka Uashingtoni i kanë drejtuar edhe grupimet politike të ndryshme për nga ideologjia. Tetë vitet e presidencës së demokratit Barack Obama shihen si një mbështetje për të majtën dhe liberalët në Ballkan dhe një shtypje e së djathtës, e cila nuk arrin të etablojë marrëdhënie të mira me diplomatët amerikanë. Mediat pro-qeverisë konservatore në Maqedoni i japin hapësirë të konsiderueshme republikanit Trump, duke e përkrahur atë. Ky vend në dhjetor organizoi zgjedhje të parakohshme, pas një krize të shkaktuar nga shpalosja e aferave korruptive nga ana e së majtës në opozite. Konservatorët maqedonas, nëpërmjet mediave të tyre, në disa raste i kanë akuzuar diplomatët amerikanë si shkaktarë të krizës, ndërkohë që fitorja e Trump-it shihet një pikë kthese e politikës amerikane në raport me të djathtën amerikane, të përfaqësuar nga VMRO-DPMNE-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Megjithatë, kjo parti fitoi 51 deputetë, karshi LSDM-së opozitare me 49. Kjo fitore nuk i siguron formimin e qeverisë, për të cilën nevojitet një shumicë parlamentare me, së paku, 61 deputetë. Në këtë situatë janë partitë shqiptare ato që e determinojnë se kush do ta formojë qeverinë. Faktet empirike për liderët politikë shqiptarë thonë se koalicioni me Gruevskin vetëm se do t’i dëmtojë pozicionet e tyre.
“Nëse VMRO-DPMNE-ja nuk arrin ta formojë qeverinë, ta dini se do të kthehet shumë shpejt më e fortë se asnjëherë më parë”, deklaroi Gruevski, duke e paralajmëruar partnerin e deritashëm të koalicionit – BDI-në e Ali Ahmetit, që të lidhë koalicion me fituesin e zgjedhjeve në kampin politik maqedonas, e jo me LSDM-në.
Në të njëjtën kohë analistë të afërt me Gruevskin e paraqesin fitoren e Trump si një kthesë të madhe edhe për VMRO-DPMNE-në. Kjo duket të ketë shkaktuar huti jo vetëm te Ahmeti, por edhe gati te të gjithë liderët tjerë në Maqedoni dhe rajon.
Çfarë mund të ndryshojë?
As paralajmërimi i Ramës, se mund të dëmtohen marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, e as pritjet e Sheshelit, se mund të ketë një president amerikan që do të realizojë projektet serbe në dëm të tjerëve, nuk mund të merren si pikënisje të një ndryshimi rrënjësor të politikës së jashtme amerikane.
Nga të gjithë ambasadorët në rajonin e Ballkanit, Trump-i do të tërheqë vetëm dy – të Hungarisë dhe Greqisë. Të tjerët do të ngelin deri në fund të misionit, me detyrat dhe planet afatgjate për këtë rajon. Andaj, do të rezultojnë të pabazuara pritjet e konservatorëve dhe serbëve ose dëshpërimi i majtistëve dhe shqiptarëve.
Doktrina e Trump-it në politikën e jashtme do të shënojë ndryshime në nuanca, por në asnjë rast nuk do të jetë thelbësore. Vendosja e institucioneve amerikane është e atillë që siguron një ndërvarje gjatë marrjes së vendimeve, gjë që i pamundëson Trump-it të bëjë çfarë t’i kujtohet. Kongresi, Senati, Departamenti i Shtetit, Pentagoni dhe institucionet e tjera do të jenë ato që do ta mbajnë konstantën e politikës së jashtme amerikane.
Por, çdo president i ka prioritetet e tij në këto korniza dhe mund të imponojë një filozofi të re. Sidomos në çështjet që janë problematike për sfiduesit më të mëdhenj të SHBA-ve në rrafshin global, siç është Rusia.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka gjasa ta shënojë fillimin e një rendi të ri botëror. Në intervistën e fundit për gazetën gjermane “Bild” ai tha dy gjëra me rëndësi në këtë drejtim: NATO është e vjetruar dhe BE-ja do të shpërbëhet.
Çdo dridhje tektonike e politikës globale, si rezultat i rendit të ri botëror, ka shkaktuar turbulenca në rajon. Çdo ndryshim i rendit botëror sjellë luftëra në Gadishullin Ballkanik. Kështu ndodhi me shpërbërjen e Perandorisë Osmane në vitin 1912, kufijtë e ri në vitin 1913 dhe shpërbërjen e Paktit të Varshavës në vitin 1990. Edhe kjo dridhje, që shkaktohet me tentativën e Rusisë, që ta rikthejë rendin bipolar global, mund të rezultojë me një luftë të re ballkanike.
Viti 2017 është një vit zgjedhor përcaktues për fatin e Ballkanit dhe BE-së. Zgjedhjet presidenciale në Serbi, ato parlamentare në Shqipëri dhe kriza në Maqedoni mund t’i japin një shtytje përshkallëzimit të krizës në Ballkan. Në të njëjtën kohë zgjedhje priten edhe në Gjermani, Francë dhe Holandë, ku shkaku i krizës së emigrantëve dhe refugjatëve pushtetin mund ta fitojë e djathta ekstreme. Kjo do të nënkuptonte fund për projektin e quajtur Bashkimi Evropian, pasi pas Britanisë nga ky Union do të dilnin edhe këto shtete. Fundi i BE-së do të paraqiste edhe varrosje të ëndrrave të popujve ballkanikë për një rajon paqësor dhe të prosperuar.
Ky vit vendimtar do të japë përgjigje për fatin e NATO-s, BE-së, për mundësinë e kalimit nga një botë unipolare në bipolare ose multipolare dhe për atë nëse Ballkani është i pjekur t’i përballojë këto ndryshime pa luftëra.