Trump paralajmëron padi 1 miliardë dollarëshe – BBC pritet të kërkojë falje publike për skandalin e montazhit
BBC po përgatitet t’i kërkojë falje presidentit amerikan Donald Trump, teksa afron afati i ultimatumit për padinë një miliard dollarëshe që ai ka paralajmëruar.
Sipas mediave britanike, falja pritet t’i përcillet nga kryetari i bordit të BBC-së, Samir Shah, ndërsa ekipi ligjor i korporatës po finalizon përgjigjen zyrtare ndaj ankesës së Trumpit, i cili kërkon dëmshpërblim dhe kërkesë faljeje në publik për montazhin e fjalimit të tij të 6 janarit në programin Panorama.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë e quajti BBC-në “një makinë propagandistike të krahut të majtë”.
Kryeministri britanik Keir Starmer mbrojti në Dhomën e Ulët BBC-në si një institucion të fortë dhe të pavarur. Ai kërkoi megjithatë që korporata “të vërë rregull në shtëpi” pas gabimeve.
Disa deputetë i kërkuan atij që të përdorë fuqinë diplomatike për të bindur Trumpin të mos ndërmarrë hapa të tillë. Polemikat vijojnë edhe për përzgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm.
Nga dhjetë kandidatët në garë, laburistët kërkojnë përjashtimin e Robbie Gibb, të cilin e quajnë “agjent të konservatorëve” për lidhjet e tij me ish-kryeministrin Boris Johnson.

