Trump për Reza Pahlavin: Nuk ka aftësi për të drejtuar Iranin
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka shprehur rezerva të qarta mbi aftësinë e Reza Pahlavit për të udhëhequr Iranin, duke vënë në dyshim nëse ai mund të fitojë mbështetje reale brenda vendit. Në një intervistë ekskluzive për Reuters në Zyrën Ovale, Trump tha se Pahlavi duket shumë i sjellshëm, por theksoi se kjo nuk mjafton për të qenë një lider i pranueshëm për iranianët.
Sipas Trump, problemi kryesor është mungesa e lidhjes së fortë të Pahlavit me realitetin politik dhe shoqëror brenda Iranit. “Nuk e di se si do të pritej ai në vendin e tij”, u shpreh Trump, duke shtuar se ende nuk është momenti për të menduar seriozisht për një alternativë konkrete të pushtetit në Teheran.
Reza Pahlavi, djali i ish-shahut të Iranit të rrëzuar në Revolucionin Islamik të vitit 1979, jeton prej dekadash në mërgim dhe është shndërruar në një zë të njohur të opozitës iraniane nga jashtë vendit. Megjithatë, opozita iraniane mbetet e fragmentuar, pa një strukturë të unifikuar dhe me ndikim të kufizuar brenda kufijve të Republikës Islamike, çka e bën edhe më të vështirë ngritjen e një figure udhëheqëse të besueshme.
Trump pranoi se protestat masive mund të çojnë në rrëzimin e qeverisë aktuale iraniane, por theksoi se kjo nuk do të thotë automatikisht se Pahlavi është njeriu i duhur për ta marrë drejtimin. “Çdo regjim mund të bjerë”, tha ai, duke lënë të kuptohet se rënia e pushtetit aktual nuk garanton sukses për opozitën ekzistuese.
Deklaratat e Trump tregojnë qartë një qëndrim skeptik: pavarësisht simpatisë personale, ai nuk e sheh Reza Pahlavin si një lider që mund të bashkojë iranianët dhe të udhëheqë vendin në një fazë të re politike.

