Trumpi i dërgon letër homologut izraelit, kërkon zyrtarisht faljen e Netanyahut
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, ka pranuar një letër nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në të cilën i kërkohet të shqyrtojë dhënien e faljes për kryeministrin Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur zyra e Herzog të mërkurën.
Netanyahu po përballet me një gjyq të gjatë për korrupsion, ndërsa Trump ka kërkuar vazhdimisht falje për aleatin e tij të ngushtë. Kryeministri izraelit i mohon akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.
“Ndërsa unë respektoj absolutisht pavarësinë e sistemit izraelit të Drejtësisë dhe kërkesat e tij, besoj se kjo ‘çështje’ kundër Bibit, i cila ka luftuar përkrah meje për një kohë të gjatë, përfshirë edhe kundër kundërshtarit shumë të ashpër të Izraelit, Iranit, është një ndjekje penale politike dhe e pajustifikuar”, ka thënë Trumpi në letrën e ndarë nga zyra e Herzog.
Zyra e presidentit izraelit ka theksuar se kushdo që kërkon një falje presidenciale duhet të paraqesë një kërkesë zyrtare në përputhje me procedurat e përcaktuara.
Edhe gjatë vizitës së Trumpit në Izrael në tetor, ai i kishte kërkuar Herzogut të falte kryeministrin, në një fjalim para parlamentit në Jerusalem.
Netanyahu është paditur në vitin 2019 në tri raste, që përfshijnë akuzat për marrjen e dhuratave nga biznesmenët, në vlerë mbi 200 mijë dollarë.
Pavarësisht rolit kryesisht ceremonial të presidencës izraelite, Herzog ka autoritetin për të falur kriminelët e dënuar në rrethana të pazakonta.
Megjithatë, gjyqi i Netanyahut, i cili ka filluar në vitin 2020, nuk ka përfunduar ende dhe ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Netanyahu e ka cilësuar përvojën e tij ligjore si një gjueti shtrigash të krahut të majtë që synon rrëzimin e një udhëheqësi të zgjedhur të krahut të djathtë.

