Turizmi vendor, 20 mijë punonjës rrezikojnë vendet e punës

256

Nga 4 deri në 20 mijë njerëz do të humbnin punën vetëm në aktivitetin turistik në Maqedoni nëse pandemia do të zgjasë deri në fund të këtij viti. Nëse kriza përfundon muajin vijues, mund të humben 2.000 deri në 12.000 vende pune. Këto janë dy skenarët në analizën në të cilën morën pjesë të gjitha Odat Ekonomike në vend.

Nëse pritjet ishin që në vitin 2020 të realizojmë afër 500 milion dollarë në bazë të qarkullimit turistik, tani mund të presim nën 250 milion, me kusht që kriza të përfundojë menjëherë – tha Hristijan Xhambazovski, bashkautor i studimit.

Por, nuk përjashtohet as skenari i dytë, i cili parashikon rënie të turizmit deri në 80%. Pothuajse të gjitha kompanitë kanë deklaruar se do të duhet më shumë se gjysmë viti për tu kthyer në normalitet.

88 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se pasojat e krizës do të ndikojnë shumë në likuiditetin e kompanive. Deri në gusht-shtator, ka anulime masive të të gjitha prenotimeve të caktuara – u shpreh Daniela Mihajlovska Vasilevska, Oda Ekonomike.

Nga sektori i turizmit po i propozojnë Qeverisë që të vazhdojë me subvencionimin e pagave prej 14.500 dhe për muajin qershor, t’i lirojë punëdhënësit nga detyrimi për të paguar K-15, ndërsa shlyerjen e kredisë pa normë interesi ta vazhdojnë nga viti i ardhshëm.

Andrea Çobanova

Comments