Ukraina akuzon Moskën për hedhjen në erë të digës në lumin Dnjepër

169

Ukraina e ka akuzuar Rusinë se e ka sulmuar një digë të madhe në lumin Dnjepër në rajonin e Hersonit të pushtuar nga Rusia. Pas këtij sulmi, Ukraina ka urdhëruar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve nga ajo zonë, shkaku i rrezikut për përmbytje masive. Kievi tha se 24 vendbanime janë përmbytur, pasi që, brenda pak orëve, niveli i ujit ishte rritur në disa zona për 10 deri në 12 metra.

Ushtria ukrainase tha se Rusia e sulmoi këtë digë me qëllim për ta parandaluar kalimin e forcave ukrainase në lumin Dnjepër. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e thirri një takim emergjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes për ta diskutuar gjendjen në këtë zonë. Ai tha se shkatërrimi i digës “vetëm e konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të përjashtohen nga çdo qoshe e tokës ukrainase”.

“Terroristët nuk do të jenë në gjendje ta ndalin Ukrainën me ujë, raketa apo çfarëdo tjetër”, shtoi Zelensky. Rusia e ka mohuar përfshirjen në këtë sulm dhe ka fajësuar Ukrainën. Komiteti Hetues i Rusisë nisi hetime penale lidhur me shkatërrimin e digës. Agjencia ukrainase e energjisë nukleare paralajmëroi se shkatërrimi i digës Nova Kahovka mund ta rrezikojë centralin bërthamor në Zaporizhja. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se është duke e monitoruar situatën dhe shtoi se “nuk ka ndonjë rrezik të menjëhershëm të sigurisë” në centralin bërthamor.

“Pasi që reaktorët e Zaporizhjas janë ndalur që disa muaj, vlerësohet se ky pellg do të jetë i mjaftueshëm për të furnizuar ujë për procesin e ftohjes për disa muaj”, tha Rafaell Mariano Grossi, Drejtor i Përgjithshëm i IAEA.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se sulmi ndaj digës e tregon “edhe një herë brutalitetin e luftës ruse në Ukrainë”.

“Shkatërrimi i sotshëm i digës Kahovka i rrezikon mijëra civilë dhe shkakton dëme të mëdha në ambient”, u shpreh Jens Stolteberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Diga, e ndërtuar në vitin 1956, është rreth 30 metra e lartë dhe rreth 3.3 kilometra e gjatë. Qëllimet e saj parësore janë prodhimi i energjisë, ujitja dhe navigacioni. /Alsat.mk

Comments