“Unaza”, “Tirana e Re”, “Porcelani”: Kush janë pronarët e linjave të urbanëve që u arrestuan

760
fresco

Policia ka arrestuar një numër të madh personash sot, të cilët falsifikonin biletat e autobusëve duke mos derdhur kështu taksat në shtet edhe pse ia vilnin qytetarëve përmes çmimit të biletës.

Të arrestuar janë pronarë dhe administratorë të linjave të njohura të urbanëve të Tiranës, siç janë ajo e “Unazës”, “Porcelanit”, “Tufinës” apo “Shkozës”. Këto janë linjat kryesore të urbanëve në Tiranë duke bërë që dëmi në arkën e shtetit të jetë kolosal.

Më parë, kompanitë kishin kërkuar rritjen e çmimit të biletës për pasagjerët duke e bërë në 40 lekë nga 30 lekë që ishte.

Mësohet se të arrestuar janë Ferdinand Ibrahimi me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit të Unazës, dhe djali i tij Anastas Ibrahimi i të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale (biletat), në tentativë për t’i asgjësuar, siç raporton Report TV.

Të arrestuarit e tjerë janë Fatos Vrapi , 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti dhe bashkëshortja e tij Albana Vrapi, 51 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore dhe ortake (të dy janë bashkëpronar të linjave të Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës); Evisa Vora, 33 vjeçe, banuese në Tiranë (ka në pronësi linjën e Porcelanit), me detyrë administratore; Lulëzim Allaraj, 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobuzash; Aldi Duka, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobuzash; Klodiana Qato, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomist në një shoqëri autobusash.

Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.

Ata përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhura në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare. Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Gjatë arrestimit janë sekuestruar edhe 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë të reja.

Ferdinand Ibrahimi është një emër i njohur i botës së biznesit. Ai është pronar i firmës “Ferlut”. Ndërsa për sa i përket të arrestuarit Fatos Vrapi, ai ka detyrën edhe si anëtar i Këshilli Bashkiak në Tiranë nën siglën e Partisë Demokracia Sociale të Paskal Milos.

Ndërsa të arrestuarit e tjerë akuzohe si bashkëpunëtor të cilët shpërndanin biletat e falsifikuara .

Comments