Universiteti i Tetovës, akademi solemne me rastin e 28 Nëntorit
Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së flamurit kombëtar dhe pavarësisë së shteti shqiptar, Universiteti i Tetovës organizoi akademi solemne…
Dekani i Fakultetit Filologjik, Fatmir Sulejmani, tha se kjo datë përkujton sakrificën e paraardhësve për flamur dhe shtet shqiptar, por duhet të na shërbejë edhe për të analizuar sfidat e së ardhmes.
“Përkundër vështirësive që vazhdojmë të përballemi si komb, ne kemi kuptuar më në fund se çelësi që hap dyert e një historie ndryshe prej asaj të stërgjysheve është në duart tona, prej nesh varet a do lejojmë akoma të na përçajnë, të na bëjnë pikë e pesë për të na sunduar më lehtë se dikur, apo do të lëmë me një anë hasmëritë ndërvëllazërore dhe do punojmë së bashku për kultivimin e frymës përbashkuese. Unë jam i bindur se rinia shqiptare, në veçanti ajo studentore, është e vetëdijshme se sfidat e kohës nuk janë aspak më të lehta se të paraardhësve tanë”,- deklaroi dekani i Fakultetit Filologjik, Fatmir Sulejmani.
E veçanta jonë si komb është fakti se në kërkimin të lirisë tonë ne shqiptarët nuk hartuam projekte për të sfiduar lirinë e të tjerëve, u shpreh me këtë rast prof. Zeqirja Rexhepi.
“Është bekim për një komb të lashtë, siç janë shqiptarët, pavarësisht nga ndarjet që na shkaktuan regjimet e të huajve, kush më pak e kush më shumë, e kaluara e popullit tonë qëndron mbi lavdi, as në një cep të historisë ballkanike nuk mund të zbulosh as një tendencë të vetme hegjemonist ndaj të tjerëve. E veçanta jonë nga evropianët dhe fqinjët tanë ballkanas është fakti se në kërkim të lirisë tonë ne shqiptarët nuk hartuam projekte për të sfiduar lirinë e të tjerëve dhe këto virtyte fisnike tek shqiptarët janë përcjellë brez pas brezi, duke na bërë të veçantë në tërë kontinentin evropian”,- deklaroi profesori universitar, Zeqirja Rexhepi.
Edhe komuna e Tetovës si dhe shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës për nderë të 28 Nëntorit, Ditës së pavarësisë së Shqipërisë, organizuan aktivitete të ndryshme kulturore, përfshi defilenë e shoqërive artistike së bashku më Bandën frymore të Kosovës nëpër rrugët e qytetit.