Vajza e Dritëro Agollit shpërthen ndaj Artur Zhejit: Karkalec që hedh baltë

171

Vetëm pak ditë më parë ndërroi jetë shkrimtari i madh DritëroAgolli, homazhet e të cilit përfshinë një numër të madh intelektualësh, politikanë, njerëz të artit të cilët shprehën ngushëllimet më të thella për humbjen e madhe.

Por nuk kanë munguar as zëra ndryshe të cilat kanë folur për një anë tjetër të poetit të madh, sipas tyre si kreytarin e censurës gjatë komunizmit.

Një ndër këto zëra të fortë është edhe deklarata e Artur Zhejit, sipas të cilit Agolli ka qënë një vegël në dorën e Enver Hoxhës për të dënuar intelektualët.

“Për brezin e intelektualëve, tashmë të lashtë të viteve ’80, Agolli ishte kryekoka e censurës staliniste shqiptare, në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, kryeroja e zgjuar e linjës politike të kuqe flakë, në letërsi dhe art, që mbijetoi si një dorë e fortë në të gjitha spastrimet më të tmerrshme të viteve ’70-’80, në krizën vrastare të Enver Hoxhës”, shkruan Zheji.

Sipas Zhejit, “kur u internuan dhe u burgosën këngëtarët e Festivalit 11 në RTSH, kur u burgos dramaturgu Todi Lubonja, Minush Jero apo u internua regjizori i mrekullueshëm, Kujtim Spahivogli që kam patur fatin ta njihja, apo regjisori Mihallaq Luarasi, së bashku me të shoqen, të supertalentuarën Edi Luarasi dhe qindra raste të tjera.

Apo kur u burgos Edison Gjergo, për një pikturë me partizanë që rrinin rreth zjarrit në një mëngjes acari, që më pas u bojatis dhe u shqye.

S’po flas për poetët e pushkatuar, për poetët apo shkrimtarët e shtypur dhe të tredhur në heshtje, për intelektualët, që më pas u përzunë si zgjebe nga Shqipëria pas viteve ’90.
“Dhe të gjitha këto ndëshkime kriminale të Partisë, kishin të paktën një “Ok”, të dorës së parë edhe nga Agolli, që ndërkohë shkruante poemën “Nënë Shqipëri” kushtuar komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha dhe rrinte kurdoherë në bashin e vendit dhe në bashin e tribunave, me raki dhe kabuni”.

Shkrimi i Zhejit i bërë vetëm pak ditë pas vdekjes së Dritëro Agollin ka trazuar dhe irrituar të bijën e poetit e cila ka përzgjedhur t’i përgjigjet me një fragment nga përmbledhja e publicistikës “Tështimat e lirisë” që shkrimtari Agolli ka botuar në vitin 1992. Elona ka publikuar në “Facebook” një pjesë ku flitet për karkalecat që i referohet haptazi analistit.

Postimi i Elona Agollit:

“Keni ecur ndonjëherë përmes një livadhi me karkalecë?Ata kërcejnë përpara fytyrës tënde. Ti i përze me dorë, qindra të tjerë të hidhen në sy, në hundë, në vesh, në qafë. Ti vrapon, ata të mblidhen si re. Mua më kërcejnë çdo javë nga livadhi i gazetave mijëra fjalë-karkalecë.

E përze një tufë, një tjetër më lëshohet duke kërcyer. Tani, së fundi, edhe dy karkalecë pleq m’u lëshuan , duke kërcyer nëpër livadhin e gazetave me kërkërimat e tyre plot instikt të lashtë insekti” . Ky është paragrafi me të cilin nis shkrimi “Betohen për të vërtetën, puthen me gënjeshtrën”, shkruar 25 vjet më parë , në v. 1992, botuar në Përmbledhjen e publicistikës “Tështimat e lirisë” , nga Dritëro Agolli./albeu.com/

Comments