Van Gaal shpërthen me kritika për shkarkimin nga Unitedi

283

Louis van Gaal ka shpërthyer me kritika ndaj Manchester Unitedit për shkarkimin e tij para dy sezoneve.

Në një intervistë për gazetën holandeze Algemeen Dagblad, Van Gaal ka thënë se klubi anglez “ia vuri lakun në fyt” para se ta shkarkonte prapa shpinës së tij.

Holandezi ishte në krye të Unitedit për dy sezone, duke fituar FA Cup në ndeshjen e tij të fundit, por i dha fund karrierës me anglezët kur klubi synoi zëvendësimin e tij me Jose Mourinhon.

“Presioni ishte i hatashëm me fytin tim në lak dhe ata vepruan prapa shpinës. Ishte e orkestruar sikur në një skenar filmi dhe vepruan prapa shpinës që prej muajit janar”, ka thënë Van Gaal.

“E kuptoj vendimin e Unitedit për ta marrë Mourinhon. Papritur, doli në skenë Mourinho dhe e dija se Unitedi do ta kërkonte një ditë”, ka shtuar ai.

Kur janë bërë një vit që prej shkarkimit të tij, Van Gaal ende është i hidhëruar me ish-klubin e tij dhe ka pranuar se ka tentuar t’ua marrë secilin cent të kontratës me Unitedin.

“Ata më treguan për shkarkimin vetëm kur doli në media dhe ishte zhgënjimi im më i madh në jetën time. Unitedi nuk bisedoi me mua për këtë gjë”, ka theksuar holandezi.

“Sikur të bisedonin me mua për planin Mourinho atëherë do të thosha: ‘Në rregull, të bëjmë gjithçka në këto gjashtë muajt e fundit, të angazhohemi plotësisht në ekip pastaj Jose Mourinho mund të fillojë punën”.

“Ata kanë mundur ta shpëtojnë kontratën time të mbetur, por pas asaj që ndodhi i kam bërë të paguajnë çdo cent”, ka shpërthyer Van Gaal.

Comments