Vdekja e shqiptarit në Greqi/ MPJ: Ka pamje nga ngjarja
Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar sot pas vdekjes së shqiptarit Pëllumb Marnikolaj në një komisariat policie në Athinë.
MPJ ka thënë se ekzistojnë pamje filmike të ngjarjes dhe se lidhur me çështjen kanë nisur hetimet dypalëshe, ku pritet që të bëhet edhe autopsia e trupit të pajetë të të riut shqiptar.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Ministria e Jashtme shton se i ka kërkuar autoriteteve greke që të sqarohet e gjithë ngjarja.
Në njoftimin e shpërndarë, Ministria e Punëve të Jashtme thotë se, do të vijojë të ndjekë me vëmendje të veçantë rastin dhe kërkon nga autoritetet greke kryerjen e një hetimi të plotë dhe transparent, në respekt të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare.
Reagimi i MPJ mbi humbjen e jetës së shtetasit Pëllumb Marnikolaj në Athinë:
Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur hap pas hapi nëpërmjet të gjitha kanaleve zyrtare rastin tronditës të humbjes së jetës së shtetasit shqiptar PëllumbMarnikolaj në një rajon policie të Athinës.
Duke u shprehur familjareve ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje tragjike, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se:
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi ka kërkuar nga pala grekebashkëpunimin e menjëhershëm dhe maksimal të të gjitha organeve ligjzbatuese.
Nga kontaktet e deritanishme me autoritetet greke, bëhet e ditur se ekzistojnë pamjet filmike të ngjarjes, si dhe është urdhëruar kryerja e autopsisë mjeko-ligjore.
Ministria e Punëve të Jashtme do të vijojë të ndjekë me vëmendje të veçantë rastin dhe kërkon nga autoritetet greke kryerjen e një hetimi të plotë dhe transparent, në respekt të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare.
Pala shqiptare mbetet në pritje të rezultateve paraprake të hetimit të nisur dhe bashkëpunimit të plotë të autoriteteve greke, duke rezervuar të gjitha të drejtat për trajtimin e mëtejshëm të rastit.
Ambasada jonë në Athinë do të ndjekë në vijimësi këtë çështje në çdo instancë dhe do të vijojë t’i gjendet pranë të afërmve të viktimës.
Deri në zbardhjen e plotë të situatës, MPJ fton të respektohet dhimbja e familjareve dhe të mos instrumentalizohet politikisht kjo ngjarje. /albeu.com/