Vdekja e shtatzanës, prokuroria kërkon burg për dy mjekët që neglizhuan Aidën
Prokuroria e Tiranës pritet të kërkojë paraprakisht, 45 ditë burg si masë arresti, për dy mjekët e maternitetit “Kiço Glozheni”, që u ndaluan për vdekjen së gruas shtatzanë Aida Çajka.
Prokuroria ka çuar dosjen në Gjykatë për dy mjekët, Dritan Deçka dhe Helidon Klosi për neglizhencë dhe mjekim të pakujdesshëm të gruas shtatzanë ndërkohë që do të pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore.
Ndërkohë, raportohet se infermierja Nazmie Ceni do të hetohet në gjendje të lirë, pasi është marrë në pyetje nga grupi hetimor.
Aida Çajka vdiq dje në maternitet së bashku me beben e palindur dhe la pas burrin dhe dy fëmijë minorenë.
Aida Çajka humbi jetën në sallën e operacionit, pasi mjekët e maternitetit “Koço Gliozhenit” e përcollën në gjendje të rënduar në spitalet e tjera të Tiranës gjatë orëve të natës për t’u vizituar, si në QSUT për kontrollin e zemrës dhe në Senatorim për mushkëritë. Rezultoi se 35-vjeçarja kishte pasur një çarje të shpretkës dhe sipas burimeve të brendshme nga materniteti, së paku jeta e saj do të kishte shpëtuar nëse do të ishte ndërhyrë në kohën e duhur dhe pa vonesa.