Vdekja s’është fjala e fundit për Qaniun !

144

Me Qaniun u njoha në ditët e largëta të shkollimit të mesëm në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë. Në klasën e dytë ai erdhi nga Kërçova, qytet me shumë të panjohura për atë moshë dhe për atë kohë. U shoqëruam për të mbetur gjithmonë shokë. Në rrugën tonë, ku kanë fry erëra të ndryshme jetësore, gjithmonë kemi këmbyer qëndrimet , dëshprimet dhe shpresa për të ardhmen që duhej të dukej ndryshe. Ka qenë origjinal, dëgjues i mirë,tip i njeriut paqësor dhe me thesar të pashtershëm të njohurive .
Jeta na trasoi fatet profesionale pothuajse të njejta. Studiuam bashkë në Prishtinë, punuam bashkë si gazetar në Televizionin e Prishtinës, tani RTK, dhe formuam një mjedis të përbashkët , elitar në Kosovë, duke u quajtur gjithmonë shqiptar të Maqedonisë.
Më 1989 në Kosovë u pezullua puna e të gjitha institucioneve , në këtë rast edhe Televizionit të Prishtinës. Këtë vit u ndanë fatet për secilin të punësuar në Kosovë. Qaniu me familjen e tij vazhdoi të jetojë në Prishtinë dhe t’i kontribuojë gazetarisë kosovare, në kohët më të vështira për Kosovën dhe shqiptarët në tërësi.
Vazhduam të dëgjohemi dhe të takohemi rrallë. Çdo kafe e pirë bashkë fillonte me evokim të së kaluarës dhe përfundonte me pamjet e realitetit politik te shqiptarët, kudo që ndodhen ata.
Shpesh mendonim ndryshe, dhe kjo e bënte të bukur por edhe konfliktuoze tavolinën . Ishte i drejtpërdrejtë, gjë e vështirë dhe rrallë e hasur në mjedisin tonë. Gjithmonë ka miratuar të renë dhe vlerat e avansuara. Këtë e ka dëshmuar edhe me strukturën intelektuale të familjes që krijoi.
Të qoftë dheu i lehtë, miku im !

Comments