Vdes Skënder Krasniqi, ish-luftëtari UÇK-së – Haradinaj dhe Veseli ngushëllojnë familjen

585

Ka ndërruar jetë ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Skënder Krasniqi.

Krasniqi ka qenë ndër luftëtarët e parë të UÇK-së në komunën e Malishevës, njofton Klan Kosova.

Familjen Krasniqi e ka ngushëlluar kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit tonë, Skënder Krasniqi. Skënderi ishte luftëtar i orëve të para, i gatshëm për sakrificë, sa herë që e kërkoi atdheu. Shembulli i tij prej luftëtari e atdhetari, do të kujtohet ndër breza. Ngushëllime familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

“Paska ndërruar jetë Skënder Krasniqi, nga Carralluka e Malishevës. Burrë i ndershëm dhe njëri nga luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në komunën e Malishevës. Dy cilësi këto të mjaftueshme për ta nderuar e kujtuar gjithmonë me respekt. Ngushëllime”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në Facebook.

Homazhet për të ndjerin organizohen sot nga OVL e UÇK-së në ora 15:00 në Shtëpinë e Kulturës ”Tahir Sinani” në Malishevë dhe Mbledhja Komemorative në ora 16:00.

Ndërsa varrimi bëhet në ora 17:00 në Varrezat e fshatit Carrallukë.

Krasniqi ka qenë vjehrri i deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Comments