Veç Veseli e Mustafa e dinë se cilët Ministra nesër shkojnë në shtëpi

132

Image result for kadri veseli isa mustafa

Nesër PDK e LDK pritet të tregojnë emrat e Ministrave që do të shkarkohen dhe emrat e rinj që do të bëhen pjesë e Kabinetit të Isa Mustafës. Zyrtarët e dy partive kanë thënë se nuk dinë asgjë lidhur me emrat e atyre do të emërohen dhe as të atyre që do të shkarkohen nga pozitat qeveritare.

E hëna e parë e këtij muaji për disa Ministra të Qeverisë aktuale do të jetë dita e fundit e punës në pozita qeveritare. Kjo për shkak se nëse pritet që PDK e LDK të tregojnë emrat e udhëheqësve të Ministrive që do të shkarkohen dhe emrat e Ministrave të rinj që do të marrin detyrën.

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli ka thënë se të hënën do të qartësohet dhe do të dërgohen emrat e Ministrave të rinj te Kryeministri Isa Mustafa. Nuk ka treguar emrat e atyre me arsyetimin se gjithcka do të bëhet me kohë.

Ndërkohë, as në LDK, nuk kanë dhënë ndonjë informatë se kush do të mund të largohet prej Qeverisë së Kosovës.

Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova, ka thënë për Express, s’e nuk e di se kush prej Ministrave të LDK ‘së do të mbetet pa punë prej ditës së nesërme.

“Jo jo nuk e di kush janë”, ka thënë shkurt Rugova.

Përgjigje të njejtë ka dhënë edhe Agim Veliu dje për Express, ai ka thënë se LDK është në pritje të ndryshimeve por që nuk di detaje të këtyre ndryshimeve.

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka thënë për RTK’në, se të hënën do të shkojnë emrat  e rinj të Ministrave dhe Zëvendësministrave për miratim te Kryeministri.

“Ne vetëm e kemi përfunduar, do të kemi emra të ministrave të rinj, do të kemi disa lëvizje të zëvendësministrave dhe sapo të kthehem nga kjo vizitë zyrtare, besoj që edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës do të kthehet nga vizita zyrtare në Londër, ne do të  ne do ta finalizojmë këtë proces”, ka thënë Veseli.

Ka thënë se për shkak të korrektësisë nuk po i përmend emrat e atyre që do të largohen dhe as emrat e Zëvendësministrave që do të ndërrojnë dikasteret qeveritare.

Edhe Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu ka thënë se janë gati për të bërë ndryshimet në Qeverinë e Kosovës. Mirëpo, as ky udhëheqës i partisë së Isa Mustafës s’ka përmendur emrat e atyre që do të largohen prej Qeverisë.

“Po, na jemi gati për riformatim, kurdo që paraqitet nevoja ne gati jem”, ka thënë Veliu, për Express, të shtunën.

“Po unë thash gati jem, s’kam ndonjë koment tjetër”, është përgjigjur Veliu kur është pyetur për emrat e Ministrave të LDK’së që do të mund të largohen prej pozitave në Qeveri.

Idenë për ndryshime në Qeveri e ka nisur Kadri Veseli e Isa Mustafa, të cilët prej muajsh kanë paralajmëruar mundësinë e ndërrimit të disa ministrave.

Kohëve të fundit, në PDK, kanë folur edhe për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, pasi nuk janë të kënaqur me performacën e Qeverisë së udhëhequr prej liderit të LDK’së.

Pavarësisht se gjatë fushatës zgjedhore kishin akuzuar njëri-tjetrin, pas dështimit të koalicionit të Opozitës, LDK kishte lidhur koalicion me Partinë e Hashim Thaçit, duke marrë pozitën e Kryeministrit ndërsa Presidentin dhe Kryeparlamentarin i ishin dhënë PDK’së.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës, ka 19 Ministri, ndërsa, dy i ka pa portofol. Është më e madhja në numër krahasuar me vendet e rajonit. Në Shqipëri janë 19 Ministri, Serbi 18, Mal të Zi 16 dhe Maqedoni 14.

Veseli e Mustafa kishin premtuar se do të ketë edhe zvogëlim të numrit të Ministrive, por as në këtë drejtim, s’ka pasur asnjë lëvizje.

Comments