Vendimi për rastin që tronditi Kosovën: 5 të akuzuar dënohen me 52 vjet burg për dhunimin e 11-vjeçares

390

Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka shpallur këtë të martë aktgjykimin dënues ndaj pesë nga gjashtë të akuzuarit në rastin tronditës të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë.

Trupi gjykues i shpalli fajtorë të akuzuarit B.R., D.Rr., F.S., M.R. dhe M.K., pasi sipas gjykatës, secili prej tyre veçmas ka kryer veprën penale të dhunimit.

Sipas aktgjykimit:

B.R. u dënua me 12 vjet burgim,

D.Rr. me 10 vjet burgim,

B.S. me 10 vjet burgim,

F.S. me 10 vjet burgim,

M.S. me 10 vjet burgim.

Ndërkohë, për të akuzuarin B.S., i cili ndodhet ende në arrati, procedura është veçuar.

Avokatja e viktimës, Kimete Krasniqi, deklaroi për Klan Kosovën se edhe pas rikthimit të rastit në rigjykim, gjykata mori një vendim meritor duke i shpallur përsëri fajtorë të akuzuarit.

“Për pesë nga të akuzuarit për të cilët lënda ishte kthyer në rigjykim, sot u dha vendimi meritor, duke u shpallur sërish fajtorë për veprën që kanë kryer”, tha Krasniqi.

Sipas saj, gjatë procesit janë shqyrtuar të gjitha provat dhe trupi gjykues ka marrë vendimin duke u bazuar në dëshmitë dhe faktet që, sipas saj, dëshmonin qartë fajësinë e të akuzuarve.

Rasti ishte kthyer në rigjykim, pasi avokatët e palëve kishin ankimuar vendimin e Gjykatës Themelore të dhënë në prill të vitit 2024, duke e dërguar çështjen në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë, një nga të akuzuarit, B.S., i cili ishte dënuar me 10 vjet burgim në aktgjykimin e vitit 2024 për veprën penale “Dhunimi”, është arratisur menjëherë pas shpalljes së vendimit dhe ende nuk është kapur nga autoritetet.

Në total, për rastin e dhunimit të 11-vjeçares akuzohen 13 persona, të ndarë në dy procese gjyqësore. Tetë persona akuzohen për ngjarjen e ndodhur në qershor të vitit 2022, ndërsa pesë të tjerë për përfshirje në rastin e dhunimit që dyshohet se ka ndodhur në gusht të po atij viti.

Comments