Vengu: Mbi 300 banorë në Durrës marrin strehim, ushqim dhe kujdes shëndetësor

216

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, po ndjek nga afër situatën e përmbytjeve në qarkun e Durrësit.

Vengu bëri të ditur se mbi 300 banorë të zonës së Durrësit janë trajtuar në kohë rekord pas reshjeve intensive, duke u siguruar akomodim, ushqim dhe kujdes shëndetësor në ambientet e konvaleshencës të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ndërhyrja u realizua në koordinim të plotë mes strukturave vendore, ekipeve të bashkisë, emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, të cilat vijojnë punën në terren për normalizimin e situatës në disa zona të qytetit të prekura nga reshjet e dendura.

“Në zonën e Durrësit, mbi 300 banorë janë trajtuar në kohë rekord me akomodim, ushqim dhe kujdes shëndetësor në ambientet e konvaleshencës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, teksa ekipet e bashkisë, të emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura vijojnë punën për normalizimin e situatës në disa zona të qytetit”, theksoi Vengu.

Autoritetet theksojnë se mbeten të angazhuara për të qenë pranë çdo familjeje të prekur, duke garantuar mbështetje të vazhdueshme dhe reagim të shpejtë për përballimin e pasojave të motit të keq.

Comments