Veseli: Institucionet shtetërore në funksion të publikut, asnjëherë instrumente të interesave grupore

150

Veseli: Institucionet shtetërore në funksion të publikut, asnjëherë instrumente të interesave grupore

 Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë sot në konferencën “Përforcimi i performancës së institucioneve të pavarura: Roli i Parlamentit në Rajonin e Ballkanit Perëndimor”, organizuar nga Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës.

Në fjalën hyrëse të kësaj konference, Veseli foli për bazën ligjore që Kuvendi i Kosovës ka krijuar për institucionet e pavarura dhe rolin e tij mbikëqyrës në punën dhe funksionimin e tyre.

Ai tha se janë shënuar hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, por, sipas tij, ende mbesin shumë sfida që kërkojnë zgjidhje, të cilat kanë të bëjnë me çështje që prekin drejtpërdrejt funksionimin e tyre, siç është çështja e financimit. Ai tha se është e nevojshme që kjo çështje të adresohet me seriozitetin e kërkuar, për të pasur një model të unifikuar dhe të stabilizuar të financimit të këtyre institucioneve.

Çështje tjetër të ndjeshme, ai e konsideroi atë të emërimeve në pozitat drejtuese të institucioneve të pavarura. Ai tha se Kuvendi ka krijuar një kornizë legjislative përmes të cilës garantohen standardet që kërkohen në procesin e këtyre emërimeve, transparencën, respektimin e meritave profesionale, mosndërhyrjen politike, e të tjera. Por, ai shtoi se kjo nuk mjafton.

“Për një kohë të gjatë Kosova kritikohet për politizimi e institucioneve të pavarura. Fenomenet e tilla si nepotizmi dhe klientelizmi, të shfaqura në nivele të ndryshme, kanë dëmtuar reputacionin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve. Korrupsioni është ngushtësisht i lidhur me këto fenomene. Ato janë pengesa shumë serioze në konsolidimin e sistemit demokratik dhe ecjen përpara të vendit tonë në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, theksoi Veseli, ndërsa shtoi se nuk do të qëndrohet heshtur përballë tyre.

Kreu i Kuvendit kujtoi se në funksion të kësaj, gjatë muajit gusht, në cilësi të kryetarit të Kuvendit, bashkë me kryeministrin dhe ambasadorin britanik në Kosovë, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi që adreson pikërisht këto çështje.

“Qëllimi është që të sigurojmë një proces të përzgjedhjes transparente, profesionale dhe politikisht të pandikuar të bordeve drejtuese të institucioneve të pavarura. Institucionet shtetërore janë në funksion të publikut, e në asnjë mënyrë instrumente të interesave grupore. Nga të kuptuarit e drejtë të këtij parimi do të varet edhe shpejtësia me të cilën do të ecim në rrugën euro-atlantike”, theksoi Veseli.

Konferenca vazhdon punimet sot dhe nesër, ndërsa pjesëmarrës të saj janë përfaqësues të parlamenteve të ndryshme të vendeve të rajonit, zyrtarë të kësaj fushe, përfaqësues të institucioneve të pavarura etj.

Comments