Kadri Veseli ka paralajmëruar se mund të ketë një kandidat tjetër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Ai në një intervistë në RTK ka thënë se këtë do ta bënte për hir të interesave qytetare, sepse sipas Veselit, nuk është ai që i bën bllokadë vendit, por është Vetëvendosja.
“I thërras publikisht të gjithë le të mbajnë fjalën. Për hir të interesave të qytetarëve unë do të afroj një kandidat për kryetar të Kuvendit nga koalicioni PAN. Mos të manipulojnë me ndjenjat e qytetarëve. Kemi nevojë për komunikim, kemi nevojë për respektimin e Kushtetutën”, ka thënë ai.
Por, Veseli është shprehur se për ta bërë këtë duhet të votohet në të njëjtën ditë që të formohet qeveria me kryeministër Ramush Haradinajn.
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka treguar arsyen se pse deputetët e tij nuk u kthyen për ta vazhduar seancën në orën 15:00.
Sipas Veselit, Adem Mikullovci i cili sot ka udhëhequr seancën konstituive ka bërë disa gabime të cilat do të duhej të dërgoheshin në Gjykatën Kushtetuese.
Ai ka thënë se ishin pikërisht këto gabime të Mikullovcit që e shtynë PDK-në të mos marrë pjesë në seancë.
“Në fakt ka qenë një demonstrim se mund të abuzojë Vetëvendosje me pushtetin kur ka mundësi. Më vjen keq, por gabimet e zotit Mikullovci mund të jenë tema për Gjykatën Kushtetuese, duke filluar nga betimi. Këtë edhe do ta bënte Vetëvendosje. Nuk ka drejtë kryesuesi ta mbyllë seancën. Mbyllja e seancës, thirrja e saj në ora 15:00 ka mundur të përbënte një çështje për Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai në një intervistë në RTK.