
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli është tallur me deputeten e VV-së Albulena Haxhiun, kur kjo e fundit e ka kundërshtuar propozimin e PDK-se për ta shtyrë votimin për në orën 17:00.
Deputetja Haxhiu ka thënë se VV nuk pajtohet që votimi të shtyhet për në orën 17:00, kur mund të bëhet tani kur seanca ka filluar.
Haxhiu ka thënë se shtyrjet e kohëpaskohshme vetëm tregojnë se pozita nuk i ka votat dhe nuk i ka deputetët serioz.
E Veseli me të marrë fjalën i tha Haxhiut se Kuvendi kurrë nuk mund të ketë opozitë më të dobët se kjo.
“Na mujm me pas opozitë të dobët, ama ma të dobët se kjo që kemi tani, kurr ska me pas, ma opozitë të dobët, kurr skemi me pas. Vetëm flasin e flasin po kurr nuk veprojnë, fol Albulenë, fol sa dush ama ju veç folni e kur vjen puna me vepru se boni”, ka thënë Veseli në Kuvend.

Haxhiu i është kundërpërgjigjur Veselit duke thënë se opozita mund ta bëjë votëbesimin ndaj qeverisë, por se kryetari i Kuvendit nuk po e lejon një gjë të tillë.
E Veseli i ka thënë Haxhiut se kur ai ka nisur mocion e ka bërë me plotë 78 vota dhe se ai nuk flet pa i pas punët në rregull.
Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me propozimin e kryesuesit Kadri Veselit një orar për seancat e rregullta të kenë oraret e veta.
“Seancat të nis në ora 10:00, në ora 13:00, pauzë deri në 14:30, në ora 17:00 të jetë koha e votimit, orare këto që i kisha inkurajuar të jenë edhe në rregulloren e re të cilën po punohet”, tha ai.
Me këtë nuk u pajtua opozita.