Vetëvendosje hedh poshtë mundësinë që aktivistët e saj sulmuan Kuvendin

127


Moebel THEMA

Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur poshtë mundësinë e ndërlidhjes së arrestimit të gjashtë aktivistëve të saj me sulmin me bombë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri dhe Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj kanë akuzuar kreun e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni se është vënë në shërbim të politikës ditore të pushtetit.

Policia e Kosovës ka arrestuar të martën gjashtë persona, të cilët më pas u konfirmuan se janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.Sipas njoftimit të policisë, Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë pas një hetimi intensiv lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës të kryer më 4 gusht 2016, ka arritur të identifikojë të dyshuarit, të cilët, thuhet se kishin planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin, si dhe kanë marrë përgjegjësinë për kryerjen e këtij sulmi.

“Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale, janë sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municion, si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin. Sendet e sekuestruara do të ekzaminohen nga ekspertët e fushave përkatëse”, thuhet në njoftimin e policisë.

Por, drejtuesit e Vetëvendosjes kanë vlerësuar se këto arrestime janë “akt klasik i përndjekjes ndaj kundërshtarëve politikë”.

“Këto metoda, nuk është që po i shohim sot për herë të parë. Është ky regjim policor ai që kishte hyrë në zyrat e Vetëvendosjes vetëm e vetëm për të shpërndarë frikë. Ne atëherë nuk kemi heshtur, sot nuk do të heshtim dhe nuk do të heshtim as nesër”, ka thënë kryetari i Vetëvendosjes, VisarYmeri.

Përderisa Dardan Molliqaj ka thënë se kjo që po ndodhë në Kosovë “është shënjues i një shteti totalitar”.

Molliqaj ka thënë se të arrestuarit nuk kanë pranuar së armët që ka ekspozuar policia janë në pronësi të tyre.

Sipas tij, të arrestuarit janë keqtrajtuar nga policia gjatë mbajtjes në paraburgim dhe ka ftuar organizatat ndërkombëtare që monitorojnë të drejtat e njeriut t’i vizitojnë ata në burgje për të konstatuar gjendjen e tyre shëndetësore. (REL)

Comments