Në Kosovë po mbahet proces për raundin e dytë zgjedhor në 18 komuna, dhe këto zgjedhje po i monitorojnë edhe vëzhguesit vendor e ndërkombëtarë të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Vëzhguesit vlerësojnë se procesi deri tani në përgjithësi është i mirë.
Ambasadori i Paqes, Tahir Shabani, theksoi për kp se janë duke mbuluar për vëzhgimin e këtij procesi në disa zona të vendit ku po mbahet balotazhi.
Sipas tij, deri tani procesi i votimit po shkon mirë.
“Ka qenë një proces i mirë, i vlerësuar edhe nga jashtë dhe i certifikuar nga KQZ. Ne kemi mbuluar disa zona gjeografike: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, pastaj vazhdojmë për Gjilan dhe Viti. Bazuar në situatën dhe kohën që kemi, mund të zgjerohemi edhe në zona të tjera”, tha ai.
Shabani nuk raportoi për ndonjë parregullsi, por tha se eventualisht do të dalin me një deklaratë zyrtare në këtë drejtim. Megjithatë ai përmendi se ka trajnime për stafin zgjedhor. Sipas tij, KQZ duhet të kontribuojë më shumë në këtë drejtim, duke mos u përqendruar vetëm në zonat kryesore, por edhe për zonat rurale që kanë nevojë për përgatitje
“Ka qenë një proces i mirë, edhe pse në disa zona gjeografike hasëm vështirësi. Mungojnë trajnime dhe stafe, ndaj KQZ duhet të kontribuojë më shumë në këtë drejtim, duke mos u përqendruar vetëm në zonat kryesore, por duke u kujdesur edhe për zonat rurale që kanë nevojë për përgatitje. Po ashtu, duhet të respektohet orari dhe vendvotimi”, tha ai.
Së bashku me të ishte edhe Eric Leyvraz, ish-presidenti i parlamentit në Gjenevë, i cili po ashtu po vëzhgon procesin zgjedhor në Kosovë.
“Ne ishim atje tri javë më parë për të parë rundin e parë. Shkuam në shumë vende dhe pamë se në të gjitha këto vende organizimi ishte shumë i mirë, edhe pse jo njësoj kudo, por kjo është një gjë pozitive, po ashtu me shumë të rinj që po marrin pjesë, gjë që është gjithashtu e mirë. Tani po shkojmë për të parë rundin e dytë, që tashmë e pamë se është i mirë; do të shohim në Gjilan dhe Viti se çfarë po ndodh tani. [Nuk kam dëshmuar ndonjë çrregullim deri tani]. Mendoj se njerëzit po punojnë shumë seriozisht dhe janë të angazhuar në këtë proces dhe mendoj se tashmë është arritur një nivel i mirë për këtë rund”, tha ai.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672 votues. Deri në orën 13:00, sipas KQZ-ka kanë dalë në votime 13.46 për qind në nivel vendi.

