Autori i agresionit në Banjskë, Milan Radoiçiq pas sulmit në shtatorin e 2023-ës, e kishte në plan edhe një tjetër pas një viti.
Për të, si trajnoheshin terroristët në bazën ushtarake në Serbi, e shumëçka tjetër ka treguar i dyshuari për sulmin në kanalin e Ibër – Lepencit, Jovan Viqentijeviq.
Në aktakuzën e siguruar nga Klan Kosova jepen edhe shumë detaje për këtë grup.
Vicentijeviq ka pranuar, gjithnjë sipas aktakuzës, se rrugës nga Prishtina për në qendrën e paraburgimit në veri, policëve shoqërues u kishte dhënë informacion edhe për bazën ushtarake Pasuljanske Livade, që ndodhet në Serbi, e ku ishin trajnuar terroristët që sulmuan në Banjskë.
Ai e pranoi se edhe vetë qëndroi në atë bazë, disa javë dhe se aty i pa rreth 120 persona nga veriu i vendit. Në mesin e tyre edhe serbë që u vetëdorëheqën nga policia e Kosovës, në nëntor 2022.
Spiuni i BIA ka treguar po ashtu se nga krejt këta, vetëm një person i panjohur dhe Vlladimir Radivojeviq, i njohur me nofkën “Mami”, që është mik i Milan Radoiçiq, kishin privilegjin të mbanin telefon brenda bazës.
Viqentijeviq zbuloi edhe emra të personave të tjerë të përfshirë në Banjskë, emrat e të cilëve, për shkak të hetimeve, nuk përmenden në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, përveç njërit që u zbulua nga telefonit i të arrestuarit.
Jovan Viqentijeviq, bashkë me vëllanë e tij, Dragishën dhe Igor Dimovic do të fillojnë, më 24 dhjetor, përballjen me drejtësinë kosovare për sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

