(VIDEO) Banorët e Stajkovcës të kënaqur, por jo edhe ata të Hasanbegut



Dëmshpërblimet e Qeverisë për përmbytjet në Hasanbeg, Stajkovcëdhe pjesën tjetër të përfshirë, janë shpërndarë në baza partiake të të afërmve të funksionarëve në pushtet. Këtë e thanë sot për TV SHENJA banorët e Stajkovcës të cilët u shprehën se janë të kënaqur nga dëmshpërblimet, por se përsëri vlerësojnë se nuk kanë marrë aq sa kanë pritur. Njëra nga banoret thotë se ndaj shtetit nuk ka ankesa ndërsa ankohet prej ndihmave të bamirësve.
“Nga shteti po, nga shteti por nga ndihmat jo, sepse kanë shkuar në vende të caktuara. Jo njëqind për qind por sërish është mirë”, thotë një banore.
Disa prej të dëmtuarve të Stajkovcës thonë se dinë raste dhe familje të cilët kanë marrë më shumë se 10 mijë euro. Ndërsa shprehen se kanë arritur të sanojnë pjesën më të madhe të dëmeve.
“Dëmshpërblime kemi marrë, por në bazë të vlerësimeve që i bënë disa vlerësues. Ka disa njerëz që kanë marrë 11 mijë euro. Vështrimi im është se kjo është bërë në baza partiake, fqinjësore, miqësore e kështu me radhë. E di edhe në rrugën time se kush sa ka marrë. Sa u përket pasojave edhe pasojat janë rregulluar deri diku”, thotë njëri nga banorët e anketuar.
Banorët e Stajkovcës thonë se ka shumë prej atyre që kanë marrë nga tre mijë euro e më lartë. Por ka edhe prej atyre të cilët edhe pse kanë marrë shuma të konsiderueshme, përsëri nuk shprehen të kënaqur.
“Morëm por aspak nuk jemi të kënaqur, sepse dëmi është shumë i madh a në mënyrë minimale është paguar. Ndoshta ka dëm rreth 20 mijë euro ndërsa kemi marrë më shumë se 3 mijë e diçka euro”, thotë një banore tjetër.
Ndryshe nga Banorët e Stajkovcës, dje për TV SHENJA, banorët e Hasanbegut deklaruan raste në të cilat nuk kanë marrë asnjë denarë nga shteti, por edhe prej aytere që kanë marrë shuma qesharake prej 13 mijë denarëve.