(VIDEO) BANORËT PO I NDEZIN MBETURINAT NË HASANBEG, MEQË S’PO UA LARGOJNË

181

Në gjendje të tillë janë pothuaj se të gjitha rrugët e lagjes së Hasanbegut. Ka kaluar një javë nga vërshimet, ndërsa mbetjet nga shtëpitë e shkatërruara, siç thonë banorët, vazhdojnë të qëndrojnë para shtëpisë së tyre.

“Jemi në rrugën 22 të lagjes së Hasanbegut, ku banorët në shenjë revolte se institucionet përkatëse nuk po çojnë mjetet për pastrim, ata kanë filluar tí ndezin ato.”

Banorët e kësaj lagjeje që ekipi i televizionit 21 i takoi, rrëfejnë se paraprakisht kanë kërkuar mjete për largimin e orendive të shkatërruara nga shtëpia e tyre.

Ata thonë që pasi u kanë vënë zjarrin një pjese të orendive, atëherë kanë ardhur makineritë, që sipas tyre, janë jofunksionale.

“Nuk kanë ardhur mjetet për t’í larguar mbeturinat, dhe ne i ndezëm ato. Tani kanë ardhur 1 kamion dhe 2 bagerë. Mirëpo çfarë mund të bëhet në tërë këtë lagje me vetëm këto 3 mjete. Në mëngjes kanë thënë që do tí dërgojnë 3 kamionë, ndërsa ka ardhur vetëm një”, u shpreh Ismet Avdiu, banor.

Siç mësojmë nga banorët, vetëm në këtë pjesë të lagjes ka mbi 100 shtëpi.

Ata thonë se gjërat që nuk mund të përdoren më janë larguar gati se të gjitha nga shtëpitë, mirëpo vazhdojnë të qëndrojnë në oborret e tyre.

Comments