Ditën që la detyrën si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama la në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë një letër për Presidentin e ri amerikan Donald Trump.
Sot, gjatë një konference për mediat ku u prezantua stafi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump konfirmoi faktin se Obama i kishte lënë një letër, por nuk tregoi asgjë për përmbajtjen e saj.
“Në zyrën ovale gjeta këtë letër të këndshme nga Presidenti Obama. Ishte një gjest i bukur nga ai dhe ne e përshëndesim këtë gjë. Dhe nuk do t’i themi shtypit se çfarë shkruhet në atë letër”, tha Presidenti i SHBA Donald Trump.
Interesi është i madh, por mbetet të shohim nëse mediat amerikane do të arrijnë të zbulojnë diçka apo stafi i Trump do të tregohet tepër hermetik dhe nuk do të japë asnjë informacion.
Në konferencën për media, Trump foli edhe për takimet zyrtare që do të ketë në vazhdim me politikanë të ndryshëm. Takimi i parë zyrtar që do të ketë, tashmë i konfirmuar prej presidentit amerikan, do të jetë me Kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May. /SYRI.net/