(VIDEO) DËSHMI TRONDITËSE: GJYSH E NIP HUMBIN JETËT NGA VËRSHIMET, TË GJALLËVE ASNJË INSTITUCION S’U TROKET NË DERË
Anëtarët e mbijetuar të familjes Mustafa rrëfejnë momentet tragjike të luftës për jetë a vdekje gjatë përmbytjeve. Gjyshi i familjes Mustafi, Bajram Mustafa i kishte ndihmuar dhe i kishte nxjerrë nga shtëpia e cila vërshohej në ato çaste, të gjithë anëtarët e të familjes, përveç nipit 2-vjeçar, Enisit, njofton SHENJA.
Gjyshi i familjes Mustafi, Bajram Mustafa i kishte ndihmuar dhe i kishte nxjerrë nga shtëpia e cila vërshohej në ato çaste, të gjithë anëtarët e familjes. Në fund kishte tentuar që të shpëtojë edhe nipin dy vjeçar, Enisin, i cili kishte qenë i ngujuar në dhomën e cila me ritëm të shpejtë mbushej me ujë, por kjo përpjekje kishte përfunduar pa fat. Dhoma në të cilin ndodheshin gjyshi hero dhe nipi për disa minuta ishte mbuluar nga ujë dhe niveli kishte kaluar mbi dy metra. Derisa anëtarët e tjerë kishin arritur që të hapin derën dhe t’i gjejnë, gjithçka ishte vonë, gjysh e nip të ngulfatur nga uji kishin ndërruar jetë.
“Për shkak të vërshimeve të mëdha, daja im nuk ka mundur që t’i evakuoj të gjithë fëmijët. Daja im, ka mbetur aty brenda me nipin e tij. Fëmijët tjerë i kanë shpëtuar fqinjët, nuk e di kush saktësisht, se niveli i ujit ka qenë i madh”, thotë njëri nga familjarët.
“Kur erdha këtu prej Straçince, thash pikësëpari a ka mbetur dikush gjallë prej familjes, se kur erdha këtu uji ishte 2 metër lartësi. Fqiu më tha, mos u mërzitni se haxhi Bajrami dhe nipi Enesi kanë ndërruar jetë. Ishte mërzi e madhe por, Zoti ka dashtë, Zoti i ka marrë”, thotë një familjar tjetër.
Për këtë familje e keqja nuk ka fund. Përveç dhimbjes për humbjen e dy më të dashurve të familjes, të mbijetuarit tani përballen me mungesën e kushteve elementare për jetesë. Ata thonë se askush nga institucionet kompetente nuk ju ka trokitur në derë, nuk kanë as mjete për të pastruar shtëpinë, as veshmbathje, madje as ushqim. Për ndihmat thonë se vetëm kanë dëgjuar se shpërndahen, por ato nuk kanë arritur në shtëpinë e tyre.