Kombëtarja shqiptare e futbollit luajti në “Elbasan Arena” një ndeshje miqësore me Norvegjinë, shkruan SYRI.net.
Kuqezinjtë u mundën me rezultatin minimal 1-0, por duhet theksuar se Strakosha bëri disa pritje, duke shmangur goleadën.
Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa golin e fitores për norvegjezët e shënoi Rosted në minutën e 70-të.
Nën reshjet e vazhdueshme të shiut, skuadra e Panuccit nuk ka arritur për asnjë moment të dalë në lojën e vet, teksa mesfusha vuajti shumë presingun e kundërshtarit dhe nuk arriti të organizohej asnjëherë shpejt.
Ndeshja
Nga ana tjetër, Norvegjia nuk vodhi asgjë, pasi dominoi sfidën dhe kontrolloi lojën nga fillimi në fund, duke merituar fitoren e marrë në takimin e sotëm.
Në pjesën e parë, Norvegjia ishte shumë më e qartë dhe loja u zhvillua kryesisht në gjysmëfushën e Shqipërisë, ndërsa kuqezinjtë bënë shumë pak për të rrezikuar kundërshtarin, teksa Strakosha me pritjet e tij shpëton ekipin tonë nga pësimi i golit.
Aspak i kënaqur edhe trajneri Panucci, që vazhdimisht u tërhoqi vëmendjen futbollistëve, ndërkohë që po planifikon edhe ndryshime në pjesën e dytë.
Ramadani dhe Qaka vuajnë shumë jo vetëm në organizimin e lojës, por edhe në fazën e presingut, ndërsa Sadiku mbetet shumë i izoluar në majë të sulmit.
Pikërisht pejani Qaka dëmtohet në fundin e pjesës së parë dhe largohet për t’i bërë vend një tjetër debutuesi, Keidi Bares.
Edhe pjesa e dytë ka të njëjtën tablo, teksa Panucci tenton të freskojë skuadrën, duke hedhur në fushë një tjetër debutues, Bujar Likën, por edhe Bekim Balën e Andi Lilën.
Gjithsesi, në momentin më të mirë të kuqezinjve, është Norvegjia që gjen golin e avantazhit, nëpërmjet anës së saj më të fortë, goditjes standarde. Një krosim nga këndi, goditet nga Rosted, që e dërgon në rrjetën e Strakoshës.
Kuqezinjtë tentojnë të reagojnë, por disa gjuajtje nga distanca nuk e kërcënojnë aspak portierin e miqve, ndërsa Eros Grezda i vetëm, nuk mjafton për të nxjerrë përpara skuadrën e Panuccit.
Minutat e mbetura nuk sjellin asgjë të re, teksa Norvegjia mund ta kishte thelluar diferencën e golave nëse në portë nuk do të ishte Strakosha.
Gjithsesi Norvegjia fiton 1-0 dhe kuqezinjtë e nisin vitin me humbje.

