(VIDEO) MJEKËT ALARMOJNË PËR EPIDEMI TË MUNDSHME, JA APELI I TYRE
Pas vërshimeve të disa ditëve më parë në disa vendbanime të Komunës së Gazi Babës, mjekët alarmojnë për mundësinë e përhapjes të epidemive të ndryshme, raporton SHENJA.
Besir Murtezani, mjek i përgjithshëm, thotë se në rast se kemi rritje të temperaturave, vendbanimet e vërshuara mund të goditen edhe me një fatkeqësi tjetër, pra atë të përhapjes së epidemive.
“Sepse gjendja e jashtëzakonshme do të vazhdoj. Ende ka shtëpi të mbushura me ujë të cilat janë duke u pastruar dhe tani pasi kemi filluar me ngritjen e temperaturave mund të përhapen edhe epidemi të cilët mund të shkaktojnë sëmundje”, deklaroi Besir Murtezani, Mjek i përgjithshëm
Ndërkaq, ai deklaron se tashmë kanë filluar të mobilizohen për një rrezik të tillë si dhe i kanë dorëzuar kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë ku kanë kërkuar që ti furnizojnë me pajisje dhe mjete të nevojshme.
“Ne jemi përgatitur për rehidrim të pacientëve me infuzione, kemi një rezervë të vogël deri tash dhe kemi bërë apel deri te Ministria që të na furnizojë. Mirëpo, bëjmë apel deri tek popullata të cilët janë të përfshirë nga vërshimet që të evakuojnë banorët dhe familjarët e tyre që të mos shfaqet ndonjë epidemi, shkaku se gjithë shtëpitë janë të mbushura me ujë dhe ngritja e temperaturave mund të sjellë ndonjë epidemi masive”, tha më tej ai.
Murtezani njofton se edhe katër ditës pas vërshimeve, numri i pacientëve vazhdon të mbetet i madh. Sipas tij, gjatë ditës së djeshme dhe të sotme kanë evidentuar rreth 50 pacientë në ditë, të cilëve u kanë ofruar shërbime mjekësore.