(VIDEO) OJQ-TË VAZHDOJNË TË NDIHMOJNË BANORËT E HASANBEGUT

251
fresco

ojq

midle

Për dallim prej institucioneve shtetërore, për të cilat është dita e dytë ndihmojnë banorët e lagjeve më të thella të Hasanbegut, organizatat joqeveritare dhe aktivistët e shumtë kanë ndihmuar banorët e këtyre anëve që nga dita e parë pas vërshimeve. Muhadin Limani nga Këshilli Koordinues i OJQ-ve për vërshimet, thotë se në ditët e para kanë furnizuar banorët me ujë, ushqim, mjete higjienike dhe veshmbathje, ndërsa më pas janë kyçur edhe me ndihmë fizike në pastrimin e shtëpive.

“Sot kemi shpërndarë diku 300 pako ushqimore në lagjet e Hasanbegut. Jemi munduar të futemi në lagjet më të thella që deri tani s’ka pasur mundësi të arrijmë. Po ashtu kemi pasur edhe vullnetarë për pastrimin e shtëpive, 4 ditë me radhë kanë qenë në lagjet më të vështira”, tha Muhadin Limani nga Këshilli i OJQ-ve për vërshimet.

Mbrëmë, shoqata “ALSAR” nga Shqipëria, me ndihmën shoqatave vendase, ka bërë shpërndarjen e ushqimeve të nxehta për 500 banorë të Hasanbegut, aktivitet i cili do të zhvillohet për 5 ditë me radhë. Sejhan Jakupi nga shoqata “Kopru”, që merr pjesë në shpërndarjen e këtyre ushqimeve, thotë se banorët mirëpresin çdo ndihmë, pasi aparatet e tyre të amvisërisë janë shkatërruar, dhe nuk munden vetë të gatuajnë.

“Për çdo natë nga 500 ushqime i sjellim. Boll është për ne që marrim duatë e tyre, dhe Inshall-llah secili mendon për njerëzit që janë këtu, se me të vërtetë janë në gjendje të vështirë, ka njerëz që kanë humbur shtëpitë e tyre”, tha aktivistja e shoqatës “Kopru”, Sejhan Jakupi.

Organizatat joqeveritare edhe më herët kanë apeluar për ndihmën institucionale, pasi fuqia e OJQ-ve është e kufizuar. Banorët presin sa më shpejtë vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve, në mënyrë që të vazhdojnë jetesën normale.

Comments