(VIDEO) “PARIMI KULTUROR” SHPËRNDAN BAKLLAVA NË QENDËR TË SHKUPIT
Me rastin e festës së Kurban Bajramit shoqata edukative “Parimi kulturor” realizon një projekt me moton, “Një copë bakllava për Kurban Bajram”. Aktivistët e kësaj shoqate u pozicionuan në sheshin Maqedonia dhe shpërndanin bakllava për të gjithë kalimtarët. Interesimi ishte shumë i madh nga njerëz të etniteteve të ndryshme, të cilët shpreheshin të kënaqur nga kjo iniciativë. Besa Luzha, nga kjo shoqatë njofton se ky është viti i katërt me radhë që ata realizojnë këtë projekt, ndërsa dy vitet e fundit ata janë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Kulturës.
“Projekti “Një copë bakllava për Kurban Bajram”, katër vite radhazi nga shoqata edukative “Parimi kulturor”, dy vitet e fundit është në bashkëpunim me Ministrin e Kulturës së RM-së. ky projekt pritet shumë mirë si nga ne si aktivist ashtu edhe nga gjithë qytetarët duke marrë parasysh se qëllimi kryesor I këtij projekti është toleranca dhe respekti ndërfetar për secilin njeri, pa marrë parasysh pikëpamjet e tyre fetare apo kombëtare”, tha aktivistja Besa Luzha.
Nga shoqata “Parimi kulturor” thonë se kanë marrë komplimente nga më të ndryshmet, për shijen e bakllavasë, edhe atë sidomos nga njerëzit e etniteteve të ndryshme. Ata gjithashtu tregojnë se, ky aktivitet do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme, pasi edhe përkundër sasisë së madhe që kishin përgatitur këtë vit interesimi ishte shumë i madh dhe nuk ishte e mjaftueshme.