
Monedhat elektronike janë një nga temat më aktuale në botë, por edhe në Kosovë. Bitcoin është një monedhë digjitale në të cilën transaksionet mund të kryhen pa nevojën e një banke qendrore. Edhe në Kosovë shumë kompani kanë investuar në pajisje që prodhojnë bitcoin.
Drejtori i kompanisë “Kriptomat”, Valmir Hazeri, ka treguar për KosovaPress se vetëm në kompaninë e tij janë diku nga 500 deri në 1 mijë persona që kanë investuar para në bitcoin, ndërsa janë më shumë se 5 persona që janë bërë milioner.
Duke qenë se bitcoin vepron pa një bankë qendrore, Banka Qendrore e Kosovës përmes një komunikate ka paralajmëruar qytetarët e Kosovës se përdorimi i monedhave virtuale përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare.
“Përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale njoftohen se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Por që këtë qëndrim të BQK-së nuk e mbështet drejtori i kompanisë “Kriptomat”, Valmir Hazeri, i cili thotë se është një platformë shumë e sigurt.
Për më tepër ai thotë se në të ardhmen bitcoini do të përdoret në të gjitha shtetet, pasi që deri tani nga shumë shtete është pranuar si para e huaj.
Hazeri për KosovaPress ka treguar të gjitha procedurat se si funksionon blerja e bitcoinit, e krejt kjo mund të realizohet nëse keni një kuletë digjitale.
E më pastaj, procedura vazhdon duke zgjedhur se cila është shuma që dëshiron të investosh.
Përveç kompanisë “kriptomat” që pajisjet e saja i ka tek ICK në Prishtinë, edhe shumë kompani të tjera janë që kanë investuar në pajisje për prodhim të bitcoinit./KosovaPress/