(VIDEO) RILINDJA ME BESË NË KUMANOVË, KASAMI: NA LEGJITIMONI TË UA KTHEJMË DREJTËSINË!
Krerët e koalicionit “Rilindja me besë” mbrëmë shpalosën platformën e tyre para kumanovarëve. Ata fajësuan pushtetin për gjendjen momentale të qytetit të Kumanovës, duke e cilësuar atë si jo të mirë. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami kërkoi përkrahjen e kumanovarëve më 11 dhjetor, duke u premtuar se vetëm me fitoren e Rilindjes me BESË mund të kthehet drejtësia në vend.
“Duhet të votoni koalicionin Rilindje me Besë për një mirëqenie ekonomike dhe për një ridefinim të këtij sistemi ekonomik të padrejtë. Vetëm koalicioni Rilindje me Besë do të bëjë që shqiptarët të ndjehen krenarë, që të ndjehen fitimtarë të jetojnë në Kumanovë dhe Likovë”, u shpreh Kasami.
Bartësi i listës për deputet në njësinë e dytë zgjedhore Afrim Gashi theksoi se deri më tash vendi ka shkuar në një qorrsokak. Ai u bëri thirrje kumanovarëve nëse duan ndryshime, le të votojnë Rilindjen me besë, e cila sipas tij, hap faqen e re të historisë së shqiptarëve në vend.
“Askush nuk do të guxojë tu largojë nga puna nëse keni votuar një parti tjetër, pse keni mendim tjetër, pse flisni diçka tjetër se i pengon ndonjë parti tjetër. Ju jeni të lirë të veproni çfarë të doni. Ju do të jeni të lirë të mendoni atë që doni dhe të votoni atë që doni. Ne do të luftojmë për lirinë tuaj gjithmonë”, tha Gashi.
Karvani Rilindje me Besë pritet sonte të zbarkojë në fshatrat e Kërçovës, ndërsa tubim qendror do të mbajë në qytetin e Kërçovës.