(VIDEO) SHGM DHE “CIVIL” DËNOJNË KËRCËNIMET NDAJ TV SHENJA

286

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka reaguar ashpër pas kërcënimeve të simpatizantëve dhe aktivistëve të BDI-së ndaj ekipit të Televizionit SHENJA, duke kërkuar kapjen dhe dënimin e kërcënuesve.

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë dënon kërcënimet e simpatizantëve të Bashkimit Demokratik për integrim ndaj ekipit të Televizionit SHENJA, të cilët dje penguan raportimin e tyre për problemet komunale në komunën e Çairit. Ju bëjmë thirrje institucioneve përkatëse t‘i identifikojnë dhunuesit dhe t’i sjellin para drejtësisë. Dhuna ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias është e papranueshme dhe paraqet sulm mbi demokracinë. Shteti ka obligim të sigurojë sistem efikas për parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës ndaj gazetarëve. Ky është parakusht themelor për përmirësimin e gjendjes së lirisë së fjalës”, thuhet në reagimin e SHGM-së.
Shoqata e gazetarëve, gjithashtu, përshëndet edhe deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev, i cili sot i dënoi kërcënimet ndaj TV Shenja-s dhe bëri thirrje për hetimin e rastit dhe dënimin e kërcënuesve.

Nga ana tjetër, Organizata qytetare, Qendra për liri “Civil” ka dënuar ashpër kërcënimet e aktivistëve të BDI-së ndaj ekipit të Televizionit SHENJA, duke e quajtur këtë akt si sulm ndaj demokracisë dhe lirisë së shprehjes. Kreu i kësaj shoqate, Xhabir Derralla ka rikujtuar se ky nuk është sulmi i parë, por se edhe në të kaluarën janë denoncuar dhe evidentuar tentime të ngjashme ndaj këtij medium.

Civil” dënon ashpër çdo lloj dhune dhe i fton institucionet, partitë dhe të gjithë qytetarët dhe qytetaret, të respektojnë punën e ekipeve profesionale gazetareske. Çdo lloj pengimi i punës së mediumeve profesionale është një sulm i llojit të vet ndaj demokracisë dhe ndaj lirisë së shprehjes”, thuhet në reagimin e Xhabir Derallës nga “CIVIL”.
Kërcënimet ndaj ekipit të Televizionit SHENJA nga ana e personave që u prezentuan dje si aktivist të BDI-së janë denoncuar edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe në të gjitha institucionet dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare. Kërcënimet erdhën gjatë një tentimi të ekipit të Televizionit SHENJA për të incizuar problemin e banorëve të lagjes Dyqanxhik me një gropë të hapur në rrugë, që kishte mbetur e tillë për një kohë të gjatë.

Comments