Vihet nën kontroll zjarri në Shëngjin, në operacion edhe ushtria

598
fresco

midle
1472136645home250816

U deshën 24 orë për të vënë nën kontroll dy vatra zjarri në zonën e Shëngjinit. Forcat e Ushtrisë, zjarrfikësit dhe emergjencat civile punuan gjatë gjithë natës dhe me ndihmën e një helikopteri, situata u vu nën kontroll, megjithatë një sipërfaqe e madhe e mbjellë me pemë është djegur dhe flakët iu afruan edhe zonës së banuar.

Të dhënat e para flasin se vatrat e zjarrit janë ndezur aksidentalisht, por policia heton edhe për ndonjë zjarrvënie të qëllimshme. Flakët u bënë kërcënuese për shkak të erës së fortë që ndihmonte në përhapjen e tyre në zonën e thatë nga mungesa e reshjeve të shiut.

Në vendosjen në kontroll dhe shuarjen e të gjitha vatrave të zjarrit, një ndihmë të madhe dhanë edhe Forcat e Armatosura. Batalioni Vau i Dejës dhe Batalioni Komando u angazhuan në këtë operacion me mbi 100 trupa, ndërsa Forca Ajrore u angazhua me një helikopter gjatë pasditës së djeshme.

Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me Emergjencat Civile punuan deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur dhe u bë e mundur shuarja e zjarrit.

Në mbështetje të këtij operacioni u angazhuan edhe 5 mjete transporti dhe 2 ambulanca, të gatshme për evakuim banorësh të rrezikuar dhe dhënie ndihme. Njëherësh, 4 mjete zjarrfikëse të Komandës Mbështetëse u angazhuan në operacionin për fikjen e zjarrit në malin e Shëngjinit në Lezhë.

Aktualisht, Ministria e Mbrojtjes thotë se janë rreth 20 forca që po qëndrojnë në terren për të shmangur mundësinë e riaktivizimit të ndonjë vatre./Tch

Comments