Vijnë reagimet e para nga Lëvizja Vetëvendosje pas vendimit të qeverisë për reciprocitetin
Vendimi i qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë ka ngjallur reagime të pozitës dhe opozitës.
Lëvizja Vetëvendosje e ka komentuar menjëherë vendimin e qeverisë duke dalë në kundërshtim, shkruan lajmi.net.
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kjo është heqje dorë nga sovraniteti.
“Heqja dorë nga reciprociteti është heqje dorë nga sovraniteti. Qeveria ilegale po i hap rrugën Thaçit për marrëveshjen me Serbinë!”, shkruan ajo.
Edhe deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli ka thënë se mallrat serbe tash në Kosovë do të hyjnë me dokumente që nuk e respektojnë shtetin e Kosovës.
“Nga sot të gjitha maunet që vijnë nga Serbia LEJOHEN të hyjnë brenda territorit të REPUBLIKËS SË KOSOVËS me: 1. Dokumente që KUNDËRSHTOJNË KUSHTETUTËN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS; 2. I referohen me REPUBLIKA E SERBISË; 3. Përmbajnë çfarëdo elementi që MOHON PAVARËSINË dhe SOVRANITETIN e REPUBLIKËS SË KOSOVËS . Shtet PA DINJITET e PA SOVRANITET”, shkruan ajo. /Lajmi.net/