“Vinin të premten, të hënën ktheheshin në punë” – “Turistët-snajperistë” që shkonin në Sarajevë fundjavave për të vrarë civilë

70
fresco

Më shumë se tri dekada pas rrethimit të Sarajevës, prokuroria e Milanos ka hapur një hetim që synon të zbardhë një nga aspektet më të errëta dhe më pak të njohura të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë: fenomenin e “turistëve-snajperistë” – shtetas të huaj që dyshohet se paguanin për të qëlluar mbi civilë në qytetin e rrethuar.

Hetimi nis pasi gazetari dhe shkrimtari italian Ezio Gavazzeni dorëzoi dokumente dhe dëshmi të mbledhura gjatë viteve. Ai thotë se filmi dokumentar Sarajevo Safari e shtyu të hape punën hulumtuese. Prokuroria i ka besuar çështjen njësisë speciale të karabinierëve ROS, e njohur për hetime ndërkombëtare të ndërlikuara.

“Vinin të premten në mbrëmje, të hënën ktheheshin në punë”

Sipas shumë rrëfimeve të mbledhura nga ish-oficerë të shërbimeve boshnjake dhe nga vetë qytetarët e Sarajevës, në mesin e vrasësve me snajper ka pasur të huaj që vinin vetëm për fundjavë:

Arrinin të premten në mbrëmje në pozicionet e ushtrisë serbe, kryesisht mbi kodrat që rrethonin qytetin.

Kaluan të shtunën dhe të dielën duke qëlluar mbi kalimtarë, gra, fëmijë dhe civilë të pambrojtur.

Të hënën ktheheshin në vendet e tyre të punës në Evropën Perëndimore, sikur të kishin kaluar një fundjavë të zakonshme.

Rrëfimi i Dzhemil Hodxhiq, i cili humbi vëllain e tij nga një snajperist, përforcon këto dëshmi. Ai thotë se në atë kohë quheshin “çetnikët e fundjavës”, sepse shumë prej tyre – përfshirë edhe serbë të diasporës – udhëtonin vetëm për dy ditë për të marrë pjesë në sulmet snajperike. /RadioSarajevo

Comments