Vjosa del nga shtrati, përmbytje te Ura e Mifolit
Përmbytje janë shënuar sërish mbrëmjen e sotme në zonën e Urës së Mifolit mbi lumin Vjosa, që lidh rrethin e Fierit me atë të Vlorës.
Lumi ka dalë nga dalë nga shtrati dhe ujërat kanë vërshuar në disa hektarë tokë.Si pasojë e vërshimit të lumit, raportohet se është përmbytur dhe rruga e Selenicës, në vendin e quajtur Bishti i Malit.
Më herët gjatë ditës së sotme, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u ka bërë apel sot familjeve dhe bizneseve në zonën e shtratit të Lumit të Vjosës, që të largohen prej aty, me qëllim që jetët e njerëzve të mos rrezikohen, derisa situata meteorologjike të përmirësohet.
“Në 12 orët e ardhshme pritet rritje e madhe e prurjeve të lumit Vjosa, ndaj iu bëj thirrje të gjithë banorëve të zonës dhe atyre që kanë biznese këtu, që të largohen për orët në vazhdim”, deklaroi Panariti, duke shtuar se, “angazhimi është maksimal i të gjitha strukturave, të cilat janë në gatishmëri të plotë dhe të mirëkoordinuara dhe të gjithë bashkë, dhe në radhë të parë, ne të gjithë duhet të mbrojmë e shpëtojmë jetë njerëzish, padyshim edhe ekonomitë familjare”, tha ministri.
Për shkak të reshjeve, situata ka qenë problematike në shumë zona në vend, gjatë dy ditëve të fundit.
/Syri.net/