Vjosa Osmani: Po bëhen pazare politike me ambasadorë
Tani kur ka nisur faza finale e dialogut me Serbinë dhe kur pak muaj na ndajnë nga vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) për liberalizim të vizave Kosova nuk ka ambasadorë në disa qendra vendimmarrëse evropiane, si dhe në ato rajonale.
Ambasada e Kosovës në Londër ka disa muaj që ka mbetur pa ambasador, njëjtë siç ka mbetur edhe ajo në Suedi. As zyra ndërlidhëse e vendit në Beograd, me të cilin shtet Kosova po hyn në një fazë shumë të rëndësishme të dialogut, tashmë ka mbetur pa shefin e saj.
Përfaqësues nga opozita dhe nga shoqëria civile kanë thënë për gazetën “Zëri” se kjo është papërgjegjësi e Qeverisë dhe e presidentit Thaçi, pasi duke tentuar që në ambasadat e Kosovës të dërgojnë militantë partiakë kanë lënë disa përfaqësi diplomatike pa ambasadorë.
Në anën tjetër kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, për “Zërin” ka thënë që në komisionin të cilin ajo udhëheq nuk kanë ardhur ende emrat e ambasadorëve, të cilëve u ka përfunduar mandati.
Sipas saj, vonesat ndaj këtij procesi janë për shkak të pazareve politike brenda koalicionit PAN.
“Pavarësisht faktit që kemi kërkuar nga MPJ-ja këto informata (duke përfshire planin e rotacionit), ato ende nuk i janë dërguar Komisionit tonë”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, shkak për mosemërimin e tyre janë pazaret që po bëhen në koalicionin PAN.
“Fatkeqësisht, për shkak të politizimit të skajshëm të shërbimit të jashtëm gjithçka është shndërruar në pazare në mes të partnerëve të koalicionit dhe si duket kjo është ndër arsyet kryesore të vonesave.
Deri më tani në vend se të emërojë ambasadorë të karrierës MPJ-ja po vazhdon të sjellë emra politikë për t’u intervistuar në Komision, duke shkelur kështu kërkesat ligjore që së paku 50% të jenë diplomatë karriere”, ka thënë ajo.
Osmani ka bërë të ditur që emrat të cilët tashmë janë dërguar në Komision janë emra politikë, për këtë arsye edhe opozita nuk i ka marrë si të mirëqena. “Deri më tani MPJ-ja ka sjellë vetëm emra politikë në Komision, prandaj edhe opozita ka refuzuar të bëhet pjesë e shkeljeve ligjore.
Pavarësisht kësaj, deputetët e pushtetit kanë intervistuar ambasadorët politikë dhe i kanë përcjellë tutje emrat në Presidencë. Momentalisht është vetëm një propozim që nuk është intervistuar akoma dhe edhe ai është emërim politik.
Mirëpo ende mbesin disa shtete për të cilat nuk është dërguar asnjë propozim dhe vendet mbesin vakante”, ka thënë tutje Osmani.
Ndërsa lidhur me Nenin 7.7 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, i cili kërkon që së paku 50% të emëruarve si shefa misionesh të jenë ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politikë, Osmani ka thënë që ky nen është duke u shkelur vazhdimisht.
“Neni 7.7 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Shërbimin Diplomatik vazhdon të shkelet dhe emërimet politike tani janë mbi 2/3, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të ministrit të Jashtëm se do ta respektojë kuotën 50/50.
Prandaj ne si opozitë po vazhdojmë të refuzojmë intervistimin e të emëruarve politikë sepse nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e kësaj shkeljeje ligjore që po e dëmton jashtëzakonisht shumë diplomacinë kosovare”, ka potencuar ajo.