Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami premton transport publik falas në Tetovë, përcjell TV21. Kasami thotë se do të blihen edhe autobusë të rinj elektrik.
“Tetova lëviz përpara me transport publik falas, funksional dhe efikas!
Transporti publik në Tetovë dikur ishte jofunksional, por sot është realitet në zhvillim! Në mandatin e parë e ngritëm nga themelet, ndërsa në mandatin e dytë do ta modernizojmë plotësisht. Do të blejmë 5 autobusë dhe 5 minibusë elektrikë, për të zgjeruar rrjetin urban e për të përfshirë edhe fshatrat malorë.
Do të ndërtojmë stacionin e ri modern të autobusëve në BU 58, funksional, i sigurt dhe i integruar me rrjetin e transportit publik. Në përputhje me planin e mobilitetit, krijojmë korsi të veçantë për transport publik dhe biçikleta në bulevardet kryesore të qytetit. Vendosim nënstacione ECO – Green në pikat më të ngarkuara për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Dhe mbi të gjitha, transporti publik do të jetë falas për të gjithë qytetarët e Tetovës! Tetovën e kemi nxjerrë nga gremina dhe e kemi sjellë në dritë. Tani është koha ta çojmë në nivelin e një qyteti evropian. Rruga përpara është vetëm një, me Kapitullin e Dytë të zhvillimit, edhe më mirë, edhe më shumë, edhe më fuqishëm!”, tha Kasami.
Kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi thotë se rruga për në fshatin Gjermë ka të njëjtin fat si të gjitha rrugët e malësisë së Tetovës, respektivisht se është e shkatërruar dhe pa asnjë investim gjatë 4 viteve. Rexhepi thotë se në programin e tij parashikon zhvillim të balancuar infrastrukturor, si urban ashtu edhe rural. Theksoi se ndërtimi i rrugëve në fshatrat malore do të nxisë zhvillimin e turizmit malor dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv në ekonominë lokale.
“Ne planifikojmë të ndërtojmë rrugë me standarde bashkëkohore që do të jenë në funksion të zhvillimit rural dhe në shërbim të qytetarëve të kësaj ane. Çdo rrugë me standarde evropiane”, tha Rexhepi.