Vlerësimi i dëmeve në terren, prej javës së ardhshme fillojnë pagesat e para

278

Sipas koordinatorëve, deri të dielën ky proces do të duhet të kryhet me sukses, përfshi këtu regjistrimin e të gjitha pronave të patundshme dhe gjithçka tjetër që u dëmtua nga vërshimet e 6 gushtit.
Deri tani në terren janë regjistruar mbi 4.000 shtëpi të dëmtuara dhe rreth 1.500 automjete.
 
“Për dy ose tre ditë do të përfundojë regjistrimi i objekteve të dëmtuara. Kanë mbetur edhe tre lagje ku duhet regjistruar dëmet dhe besojmë se brenda këtyre ditëve ky proces në tërësi do të kryhet. Deri në këto çaste është bërë mbi 90 për qind regjistrimi i pronave të patundshme dhe të tundshme. Procesi tjetër është kontrollimi i të dhënave nga terreni me institucionet përkatëse dhe pasi të kryhet kjo, do të vijojë shqyrtimi i vlerësimeve, proces i cili do të zgjasë rreth 20 ditë”,– deklaroi koordinatori i Komisioneve për verifikimin e pronave të dëmtuara, Vase Donevski.
Shlyerja e dëmshpërblimeve dhe akontimeve të para është paraparë të kryhet në disa pjesë, ashtu siç do të kontrollohen të dhënat nga terreni ashtu do të bëhet pagesa e të hollave, informojnë nga Komisioni për verifikimin e pronave të dëmtuara. Rreth 2.000 persona nga java e ardhshme do të duhet t’i marrin akontimet e para prej 30 mijë denarëve që i ndan Qeveria.
“Ministria e Financave gjatë ditës së sotme do të duhet të shpall listën e parë prej 2.000 banorëve të dëmtuar që do t’i marrin akontimet e para prej 30 mijë denarëve. Ata persona në këtë listë do të duhet të paraqesin hapur xhirollogaritë e tyre dhe nga java e ardhshme t’i marrin të hollat”,– tha koordinatori i Komisioneve për verifikimin e pronave të dëmtuara, Vase Donevski.
Për një javë pritet të përfundojë edhe regjistrimi i dëmeve në bujqësi dhe bagëti. Deri tani në bujqësi janë dorëzuar rreth 1.000 kërkesa për dëmshpërblim, ose janë regjistruar mbi 420 hektarë tokë në Shkup dhe rreth tre hektarë në zonat e përmbytura në Tetovë.
Verifikimin e dëmeve në terren e realizojnë rreth 50 komisione të ndara për verifikimin e objekteve të dëmtuara, automjeteve dhe dëmeve në bujqësi dhe blegtori.
Comments