Vlon nepotizmi në Maqedoninë e Veriut, zbulohen 10 raste të reja në AKE, ELEM, TELEKOM

390

Komisioni për parandalimin e korrupsionit ka zbuluar dhjetë raste të reja të nepotizmit gjatë punësimit në institucionet shtetërore. Punësimet me nepotizëm janë në Agjencinë për Komunikime Elektronike, në Ujësjellës, në ELEM, Telekom, Qëndrën për menaxhim me kriza, dhe Regjistrin Qendror, raporton SHENJA.

Komisioni gjatë prezantimit të emrave të personave që janë punësuar me ndihmën e familjarëve, funksionarë në Qeveri, tha se gjithnjë e më shumë po dëshmohet se punësimi në sektor shtetëror vlon nga nepotizmi, se i ka rrënjët e thella.

Në AKE janë punësuar 4 familjarë funksionarësh. Mes tyre bashkëshortja e ish Sekretarit të Qeverisë Kirill Bozhinovski, në vitin 2009. Është punësuar edhe vajza e ish kryetares së Gjykatës Administrative dhe tani anëtare e Gjykatës Kushtetuese, Elena Gosheva. Të dy rastet u mbyllën pasi që nuk ka mundësi ligjore për të iniciuar procedurë, meqë është rast i vjetër.

Jelica Milloshovska është kushërira e deputetit Antonio Milloshovski e cila ka qenë e punësuar në Ndërmarrjen Publike Ujësjellësi, prej 2014 – tën deri 2017 – tën në Ujësjellës. Edhe kjo lënë u mbyll pasi Antikorrupsioni nuk ka mundësi ligjore për inicimin e procedurës kundërvajtëse.

Antonio Milloshovski kishte punësuar edhe kushëririn Stanko Korunovski, në Regjistrin Qendror.

Në regjistrin qendror është punësuar edhe Aleksandar Toshevski, vëlla i Anastasija Ilievskas, këshilltare në kabinetin e Gjorge Ivanov. Punësimi është bërë në vitin 2008.

Në Qendrën për Menaxhim me kriza është punësuar Lube Janushev, baba i sekretarit të përgjithshëm të VMRO së, Igor Janushev. Ky punësim është prej vitit 2008 prandaj Antikorrupsioni nuk ka mundësi për procedim të mëtutjeshëm.

Sllobodanka Gosheva, Gievska, është punësuar në Telekom, dhe ajo është vajza e Elena Goshevës, ish kryetares së Gjykatës Administrative. Antikorrupsioni ka konstatuar se dukshëm ka elemente të nepotizmit gjatë punësimit të saj, por edhe gjatë avancimit në karrierë brenda institucionit më tej. Punësimi është bërë në vitin 2017, para formimit të Qeverisë së re. Është krijuar vendi i punës Drejtor i përgjtihsëm për menaxhim me resurse njerëzore dhe menjëherë pasi është krijuar vendi i punës është emëruar Gosheva.

Punësimi i fundit për të cilin sot u konstatua se është i realizuar falë lidhjeve familjare të kandidatit me funksionar, është punësimi i djalit të zëvendës sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Tahir Hani, Nazim Hani, në ELEM. Për vendin e punës së Hanit është dashur të hapet konkurs i veçantë, ndërsa ELEM e ka punësuar nëpërmjet një firme ndërmjetësuese për punësim.

Antikorrupsioni tha se do të kërkojë që kjo formë e punësimit nëpërmjet Agjencive Private të hiqet tërësisht si formë e punësimit në sektor shtetëror.

Antikorrupsioni rikujti se ky është vetëm fillimi i zbulimit të rasteve të nepotizmit, që do të vazhdojë deri në fund.

Comments