Votues fantazmë, që ishin fshirë nga lista zgjedhore në vitin 2016-të janë kthyer sërish në listën zgjedhore. Gjithashtu, rreth 100 qytetarë në Qendrën për Liri “CIVIL” kanë paraqitur parregullsi në lidhje me persona të vdekur të cilët figurojnë në listën zgjedhore dhe probleme me adresat e votuesve real. Xhabir Deralla thekson se problemi ndër tjerash qëndron në legjislativën zgjedhore.
“Duket se lista zgjedhore është akoma gjallë, se personat fantazmë migrojnë nga njëra në adresë tjetër. Nuk ishin një periudhë para zgjedhjeve lokale. Megjithatë është e qartë se disa prej tyre u kthyen. Me gjasë bëhet fjalë për atë se fshirja e një pjese të të shtuarve në listën zgjedhore në vitin 2016 ishte rezultat i një marrëveshjeje politike, e cila na kujtohet mirë. Megjitahtë për shkak të disa procedurave dhe rregullave të caktuara ligjore, ata njerëz në bazë të ligjit janë kthyer sërish. Pra kemi problem edhe me rregullativën ligjore rreth këtyre problemeve”, deklaroi Xhabir Deralla, CIVIL.
Deralla akuzon KSHZ-në për arrogancë, për shkak se ndonëse i fton qytetarët të paraqesin parregullsitë, në momentin që qytetarët lajmërohen në KSHZ, i drejtojnë të njëjtët në Ministrinë e Brendshme. Sipas Derallës, KSHZ-ja nuk ka kohë më t’i zgjidh problemet e tjera, por të paktën duhet të sigurojë kushte që të gjithë votuesit të mund të votojnë në referendumin e 30 shtatorit.
“Shteti patjetër duhet të sigurojë kushte maksimale që secili qytetar të mund të shkojë në vend-votim dhe ta realizojë të drejtën e votës. Ky është problemi më i madh që menjëherë duhet të zgjidhet, respektivisht të merren masa që kjo të parandalohet. Për problemet e tjera, mendoj se KSHZ-ja nuk ka kohë të bëjë asgjë. Kishin afate të shkurtra, megjithatë sistemi në tërësi ishte dembel t’i zgjidhte këto probleme në kohë. Ndonëse kishin kohë të mjaftueshme”, tha Xhabir Deralla, CIVIL.
Sipas raportit të KSHZ-së, nga 9 deri më 13 gusht, nga lista zgjedhore janë fshirë 77 votues, edhe atë 69 në Kisella Vodë, 7 në Demir Hisar dhe 1 në Karposh.
/Alsat-M/