Numrat në fakt tregojnë se qytetarët e Maqedonisë mund t’ia lejojnë vetes përdorimin e automjeteve të cilat për evropianët janë “mbeturina”
Aleksandra Filipovska
Parku vozitës i Maqedonisë është i ngarkuar me “mbetje të eksportuara” nga depot evropiane. Vjetërsia mesatare e automjeteve për udhëtim të cilat përdoren nëpër rrugët e Maqedonisë është madje 18.36 vite – tregon publikimi “Maqedonia në numra” i Entit Shtetëror për Statistikë (ESHS), sipas të cilit, numri i automjeteve të regjistruara në këtë vend ka arritur 453.638. Numrat tregojnë se në fakt, qytetarët e Maqedonisë mund t’ia lejojnë vetes përdorimin e automjeteve të cilat për evropianët janë “mbeturina”.
Statistika tregon se numri i automjeteve të regjistruara gjatë vitit të kaluar ka shënuar rritje për 18.2% ose për mbi 70.000 automjete, në krahasim me vitin 2015, kur ishin regjistruar 383.833 automjete. Kjo nënkupton se në vitin 2016, në 1.000 banorë janë regjistruar mesatarisht nga 191 automjete për udhëtim. Pasi të dhënat e Statistikës për vitin e kaluar ende nuk janë publikuar, ato të fundit për vitin 2015 tregojnë se nga gjithsej 383.833 automjetet për udhëtim, madje 261.470 janë prodhuar para vitit 2002.
Statistika tregon se pothuajse 80% i parkut vozitës ose gjithsej 305.000 automjete në këtë vend, regjistrimin e parë e kanë qysh para 10 ose më shumë vitesh. Përkundër kësaj, nga
auto-sallonet, në vitin 2015 janë nxjerrë vetëm 3.062 automjete.
Sipas të dhënave, vetëm 15.9% i automjeteve janë të vjetra më pak se 10 vjet, respektivisht rreth 61.000 automjete në vend. Vetëm 3.1% ose 12.000 automjete për udhëtim janë të vjetra deri në 5 vite, ndërsa deri në dy vite, të vjetra janë vetëm 1.6% ose 6.000 automjete.
Numrat vetëm e konfirmojnë faktin se në auto-sallonet më shumë vijnë vizitorë sesa blerës, të cilët më shumë janë drejtuar kah depot për makina tanimë të përdorura. Sipas pronarëve të depove për shitjen e automjeteve të përdorura, qytetarët më shumë vendosin të blejnë veturë të importuar të ndonjë klasi luksoz të përdorur për më shumë vite, sesa ndonjë automobil më të ri të klasës së mesme nga auto-sallone.
Nga ana tjetër, të dhënat e fundit të Drejtorisë Doganore, tregojnë se në 9 muajt e parë të këtij viti, në vend janë importuar gjithsej 3.999 automjete të reja dhe gjithsej 15.585 automjete të përdorura. Ka një trend të vogël të importit të zvogëluar të automjeteve të përdorura në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2016, kur në vend kanë hyrë gjithsej 20.459 automjete të përdorura.