Vrasja e ambasadorit, 11 të ndaluar. Al Nusra mohon përfshirjen



Është ngjitur në 11 numri i personave të ndaluar në Turqi për lidhje me vrasësin e ambasadorit rus Andrei Karlov në Ankara, policin Mevlut Mert Altintas.
Lajmin e ka bërë të ditur agjencia shtetërore “Anadolu”. Ndalimet filluan që ditën e martë, me familjarët dhe të afërmit e atentatorit.
Hetimet i janë besuar një grupi prej 120 ekspertësh të anti-terrorit turk, mes të cilëve edhe disa përkthyes për të ndihmuar në koordinimin me 18 hetuesit rusë që mbërritën dje nga Moska.
Ndërkohë, krahu sirian i Al Kaedës, Al Nusra, ka mohuar çdo lidhje me vrasjen e ambasadorit Karlov.
I pyetur nga agjencia italiane e lajmeve “ANSA”, një zëdhënës ka deklaruar se lajmet e publikuara gjatë ditës së sotme në media janë të rreme. “Grupi ynë nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ambasadorit rus”, ka thënë zëdhënësi.
Ndërkohë, po sot, Shtetet e Bashkuara dhe kleriku Fethullah Gulen mohuan gjithashtu përfshirjen në këtë atentat, pas akuzave të disa zyrtarëve turq.
/ Top Channel