Vritet edhe një rrëqebull në Ferizaj, kafshë e mbrojtur me ligj

735
fresco

Një person në fshatin Varosh të Ferizajt me 30 dhjetor të vitit të kaluar kishte vrarë me armë të gjuetisë një rrëqebull (kafshë e mbrojtur) dhe, sikur të mos ketë mjaftuar kjo, ai edhe e ka postuar në rrjetin social Facebook.

Policia ka identifikuar personin që ka postuar këtë foto, dhe me urdhër të prokurorit i kanë konfiskuar të dyshuarit armën si dhe lejen që kishte për të.

Ndërsa, rasti i referohet hetimeve për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Përndryshe, nuk janë të rralla rastet e ngjashme kur persona të papërgjegjshëm gjuajnë kafshët e mbrojtura. Dhia e egër, rrëqebulli ballkanik, kaprolli në Bjeshkët e Nemuna dhe të Sharrit, derri i egër, thëllënza e fushës, thëllënza gurore dhe ariu janë vetëm disa nga kafshët e egra të rrezikuara të zhduken si speciet e rralla, nga gjetua e paligjshme, transmeton Gazeta Observer.

Këto kafshë janë të mbrojtura me Ligj në Kosovë.

Dënimi për këtë vepër, paraqitet edhe në nenin 359 të Kodit Penal.

Decidivisht ky nen thotë:

Gjuetia e kundërligjshme

1. Kushdo që gjuan kafshë të egra kur gjuetia është e ndaluar ose në territorin në të cilin gjuetia është e
ndaluar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vjet.

midle

2. Kushdo që pa leje ose autorizim, gjuan ose mbyt një kafshë të egër ose e zë të gjallë, dënohet me
gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj.

3. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet jashtë sezonës; në grup; ose ndaj gjahut
në vlerë që tejkalon dymijë (2.000) Euro ose me rëndësi sipas rregulloreve të gjuetisë, kryesi dënohet
me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet.

4. Kushdo që gjuan lloje të rrezikuara ose të rralla të kafshëve, gjuetia e të cilave është e ndaluar, ose
gjuan lloje të posaçme pa pasur lejen e veçantë për atë lloj gjahu, dënohet me gjobë dhe me burgim
prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

5. Kushdo që gjuan duke përdorur metoda të asgjësimit masiv, duke përdorur automjetin ose duke
përdorur dritën e fortë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

6. Kafshët e egra dhe pajisjet e gjuetisë konfiskohen.

Në anën tjetër ishte pikërisht Komuna e Ferizajt, përkatësisht, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, përmes Shoqatës së Gjuetarëve “Shqiponja” ajo që me të marr informacionin nga terreni, ka denoncuar në Policinë e Kosovës rastin e vrasjes së rrëqebullit-kafshë e mbrojtur me ligj në Kosovë, përkatësisht specie e rrezikuar dhe e hasur në numër shumë të ulët për shkakun e ndikimit negativ të faktorit njeri dhe shkatërrimit të habitatit të tij.

“Një akt i tillë, barbar varfëron faunën tonë dhe rrezikon zhdukjen përfundimtare të kësaj specie të mbrojtur me ligj. Autoritetet lokale si vazhdimësi të bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, kanë marr njoftimin se është arrestuar një shtetas për këtë rast, qytetar i Ferizajt nga fshati Varosh, dhe se po kryhen hetimet e nevojshme si dhe procedura paraprake e paraparë me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin për media.

Komuna e Ferizajt pret verdiktin e gjykatës përkitazi me këtë rast, duke besuar se gjyqësori do të jap shembullin e duhur në mbrojtje të faunës sonë dhe që raste të tilla të mos përsëriten më.

Autoritetet komunale falënderojnë Shoqatën e Gjuetarëve “Shqiponja” për angazhimin dhe bashkëpunimin, Policinë e Kosovës për korrektësinë e ndërveprimit si dhe gjithë akterët tjerë që në mënyrë konsistente ndërveprojnë që qytetarëve ferizajas t’i ofrohet një ambient i qetë dhe i sigurtë. / Gazeta Observer

Comments