Vuçiq: ShBA ka vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj NIS, kemi 30 ditë kohë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq citohet të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë “NIS”.
Sipas “Nova”, ai ka thënë se këto janë sanksione direkte ndaj industrisë serbe të naftës.
“Nuk do të ketë sanksione ndaj kompanive me pronësi ruse, por sanksione të drejtpërdrejta ndaj industrisë serbe të naftës. Kjo na vendos neve në një situatë shumë të vështirë, sepse pas disa kohësh, jo vetëm për furnizimin me naftë, do të kemi problem me rfinerinë, petrokimi, në thelb mbijetesën e ekonomisë që kemi sot” – citohet se ka thënë ai.
Tutje, ai ka paralajmëruar se sot do të ketë diskutime me ambasadorin e ShBA-së në Serbi, Christopher Hill mbi këtë çështje.
“Ata do të na japin 30 ditë kohë që të shohim mbi mundësitë dhe të ndërmirret ndonjë veprim, në 60 ditë do të kompletohet procesi. Para datës 15, ata do të dalin zyrtarisht me vendimin, para 15 shkurtit do të dijmë se çfarë të bëjmë” – ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se do të flasë edhe me presidentin rus, Vladimir Putin rreth datës 25 janar, kur “do të kuptojë se çka do të sjellin bisedimet me administratën amerikane”.

“Për sa i përket gazit, si rusët ashtu edhe Azerbajxhani janë partnerë të besueshëm për ne. Ne kemi rreth 430 milionë metra kub gaz në rezervë. Kjo është gjithashtu e rëndësishme për energjinë elektrike” – ka shtuar ai.
Vuçiq ka folur edhe më herët mbi këtë çështje, ku kishte thënë se ky vendim merret për shkak që kompani ruse gëzojnë shumicën e aksioneve në NIS.
Ai kishte paralajmëruar sanksione edhe nga Britania e Madhe.
“Sanksione do të vendosin edhe britanikët, por kjo do të thotë të gjithë. Ky është ndoshta një nga lajmet më të vështira.” – citohet se ka thënë ai.
Ndërkohë, kompania ruse zotëron 50 për qind të aksioneve në NIS, derisa Serbia ka 29.87 për qind të aksioneve dhe kompania Gazprom ka 6.15 për qind të aksioneve.
“Duhet të presim aktin përfundimtar. Kemi bisedime me Rusinë. Të shohim nëse (pronësia) mund të ulet nën 50 për qind, në mënyrë që të blejmë një pjesë” – kishte thënë ai tutje.