Vuçiqi e dekoron sot ish-drejtorin e Policisë së Kosovës që refuzoi ta zbatonte vendimin për targat
Nenad Gjuriq, ish-drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, i cili u suspendua me kërkesë të Inspektoratit Policor të Kosovës pasi nuk pranoi të zbatonte vendimin për targat, sot do të dekorohet me titullin “Urdhri i Meritës për Mbrojtje dhe Siguri, Klasi i Parë” nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Nderimi më i madh është kur shteti yt Serbia dhe presidenti juaj Aleksandër Vuçiq ju radhisin ndër më të mëdhenjtë dhe më të famshmit”, citohet të ketë deklaruar Gjuriq, përcjell lajmi.net.
“Që nga fillimi i punës sime në këtë detyrë kam bërë të pamundurën për të krijuar një atmosferë mes punonjësve të policisë që ata të ndihen të lirë dhe pa asnjë ngarkesë. Se ata e bëjnë punën e tyre me lehtësi dhe se të gjithë kanë të drejta të barabarta mes nesh. E kam pasur sukses dhe jam shumë i lumtur për këtë”, citohet tutje Gjuriq.
Ai është suspenduar për shkak se ka refuzuar të vendosë fletëqortime qytetarëve serbë në veri të Kosovës të cilët nuk konvertojnë targat në RKS. /Lajmi.net/

