
Shpend Ahmeti, i cili e drejton Komunën e Prishtinës, ka gjasë që të përfshihet në ekipin negociator për dialogun me Serbinë nëse e merr bekimin e Kuvendit. Por Ahmeti po kritikohet për angazhimin tjetër politik, pasi që vlerësohet se qeverisja me kryeqytetin do të binte në plan të dytë ndonëse qytetarët ballafaqohen me probleme të shumta
Shefja e Grupit të Asamblistëve të LVV-së në Komunën e Prishtinës, Leonora Shabani-Bajraktari, ka vlerësuar se kryetari i Komunës Shpend Ahmeti nuk ka besueshmëri për ta përfaqësuar Kosovën në procese siç është dialogu.

“Fillimisht kryetari Ahmeti nuk e ka besueshmërinë e mjaftueshme për përfaqësimin e vendit në nivele kaq të larta, pasi siç dihet ai ka tradhtuar votuesit dhe ka lënduar shpresat e qytetarëve të Prishtinës duke vjedhur mandatin nga qytetarët dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka deklaruar ajo për ‘zërin’.
Shabani-Bajraktari më tej ka thënë se Ahmeti aktualisht me shumë vështirësi ia del që ta krijojë shumicën e thjeshtë në Kuvendin Komunal, ndërkohë që pretendon të hyjë në procese nacionale.
“Mendoj që vonesat në zbatimin e projekteve në mandatin e parë dhe ngathtësia e shfaqur në fillimin e zbatimit të premtimeve në mandatin e dytë e fusin kryetarin Ahmeti në shumë obligime dhe shumë punë për t’i zbatuar projektet e 100 zotimeve ‘Prishtina, qytet në çdo lagje’”, ka theksuar ajo.