VV dhe LDK udhëheqin seancën e Kuvendit

252

Seancën konstituive të Kuvendit që do të mbahet në fillim të gushtit do ta udhëheqin dy figura njëri i LVV dhe tjetri i LDK-së. Kjo jo në bazë të renditjes partiake, por për shkak të moshës siç e përcakton edhe ligji. Deputeti më i moshuar që ka arritur të merr votat e nevojshme për deputet është Adem Mikullovci i lindur më 1939, anëtar i LVV. Ai ka qenë deputetë i Kuvendit të Kosovës para pavarësisë së Kosovës, kur më 2 korrik 1990 vendosën themelet e shtetit drejt pavarësisë. Ndërsa për të dytën herë deputetja Teuta Rugova nga LDK do ta ketë rastin të jetë pjesë udhëheqëse e seancës konstituive e parlamentit të Kosovës e lindur më 1990.

KQZ-ja e ka njoftuar Presidentin Hashim Thaçi, se ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit. Presidentit i është hapur rrugë që të thërrasë mbledhjen e konstituimit të Parlamentit të ri të Kosovës, brenda një muaji nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare.

Neni 7 i rregullores së Kuvendit parasheh që mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit e thërret Presidenti i Republikës së Kosovës brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve. Kështu, Kryetari dhe Kryesia e legjislaturës së vjetër e përgatisin mbledhjen e parë të Kuvendit të ri.

Kryesia e vjetër, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, pesë ditë para seancës inauguruese duhet të thërrasin një takim me kryetarët e partive që kanë hyrë në Parlament, për të përcaktuar rendin e ditës së seancës së parë.

Ndërsa me nenin 9 Kryesimi i mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit deri në zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, udhëheq deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës. Nëse deputeti, përkatësisht deputetët nga paragrafi 1 e këtij neni, mungojnë në mbledhjen konstituive ose e refuzojnë kryesimin e mbledhjes, atëherë angazhohen deputetët të cilët, sipas moshës, vijnë menjëherë pas tyre.

Në seancën e parë pritet të votohet edhe Kryetari i ri i Kuvendit dhe pesë Nënkryetarët.

Krahas kësaj, Presidenti i Kosovës duhet të dekretojë mandatarin për formimin e Qeverisë e pastaj të caktohet seanca konstituive për t’u votuar Qeveria e re.

Ndërkohë, mandatari për të formuar Qeverinë ka kohë pesëmbëdhjetë ditë për formimin e Qeverisë së re. Nëse dështon për herë të parë votimi në Kuvend, atëherë me Kushtetutë është edhe një rast tjetër kur Presidenti dekreton mandatarin e dytë për formimin e Qeverisë, i cili ka kohë vetëm dhjetë ditë për të formuar Qeverinë.

Nëse në të dy rastet dështon votimi i Qeverisë, atëherë, shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. /KI/

Comments